×
  • Lajme
  • Lajme / Mandati i ri

    Sorensen emisar i ri në dialog, Bislimi: Qasja e balancuar ndaj palëve, parakusht për sukses

    Reporteri
    28 Janar 2025 | 14:03

    Zëvendëskryeministri Besnik Bislimi e ka uruar pasuesin e Miroslav Lajçakut, Peter Sorensen, për emërimin e tij në postin e ndërmjetësuesit të Bashkimit Evropian për dialogun Kosovë-Serbi.

    Bislimi ka thënë se qasja e balancuar ndaj palëve është parakusht për sukses.

    “Urime Peter Sorensen për emërimin si EUSR i ri për procesin e dialogut. I urojmë atij një mandat të suksesshëm si lehtësues, me një qasje të balancuar ndaj palëve dhe negociata si parakusht kyç për një proces të suksesshëm drejt normalizimit të plotë të marrëdhënieve”, ka shkruar Bislimi në rrjetin social “X”.

    Danezi Sorensen do ta marrë detyrën në fillim të muajit shkurt.

    Peter Sorensen ka marrë pëlqimin përfundimtar nga ministrat e Jashtëm të Bashkimit Evropian për postin e përfaqësuesit të posaçëm të bllokut për dialogun për normalizim të raporteve mes Kosovës dhe Serbisë.

    Këshilli Evropian ka njoftuar të hënën për emërimin e Peter Sorensen, si Përfaqësues Special i Bashkimit Evropian për Dialogun Kosovë-Serbi. Ai ka marrë pëlqimin përfundimtar nga ministrat e Jashtëm të Bashkimit Evropian. Sorensen do të marrë detyrën më 1 shkurt, me një mandat fillestar prej 13 muajsh. Ai do ta pasojë në këtë pozitë emisarin Mirosllav Lajçak, të cilit i përfundon mandati më 31 janar.

    Në njoftimin e KE’së, që është shpërndarë edhe nga Zyra e BE’së në Kosovë, thuhet se detyrat e tij përfshijnë lehtësimin e procesit të dialogut që do të kontribuojë në normalizimin gjithspërfshirës të marrëdhënieve mes Kosovës dhe Serbisë dhe në veçanti zbatimin e Marrëveshjes Bazike dhe aneksit të saj. /Reporteri.net/

    Shpërndaje:
    Të ngjashme
    Të ngjashme

    © Reporteri (R Media L.L.C.), 2019-2025. Të gjitha të drejtat e rezervuara.

    Linku i lajmit u kopjua!