Deputeti i Lidhjes Demokratike të Kosovës, Avdullah Hoti, ka folur lidhur me punësimin në vend. Hoti ka thënë se është rritur punësimi i qytetarëve të Kosovës, por jashtë vendit.
Në një intervistë për Gazetën Online Reporteri.net, Hoti ka thënë se ka pasur megrim masiv gjatë Qeverisë Kurti. Ai tha se arsye për këtë mund të jetë nevoja e tregjeve evropiane për fuqi punëtore, por prapë thotë se ky është tregues i qartë i gjendjes në vend. Si më shqetësuese e ka cilësuar ikjen e kuadrove.
“Është shqetësuese ta zëmë ikja e kuadrove, përveçse e fuqisë punëtore të zakonshme, ikja e kuadrove të caktuara si mjekë, inxhinierë, arkitektë, disa profile të caktuara që çdo shoqëri i ka deficitare. Edhe ne i kemi deficitare këto profile. Largimi i tyre lë një zbrazëti që s’mund të kompensohet me vite e dekada. Duhen 15-20 vjet për ta shkollu si duhet një mjek, për t’i kryer specializimet e nevojshme”, ka deklaruar Hoti.
Gjatë këtyre katër viteve, Hoti tha se nuk ka pasur ndryshime strukturore në ekonomi./Reporteri.net