Deputeti i LDK-së, Avdullah Hoti ka treguar se cilat do të jenë prioritetet kyçe të LDK-së, në rast se kjo parti vjen në pushtet pas zgjedhjeve të 9 shkurtit.
Hoti në një intervistë për gazetën online Reporteri.net ka përmendur dy pika më prioritare. Ai ka thënë se sfida kryesore është ekonomia dhe krijimi i një ambienti nxitës ekonomik që mundëson paga të dinjitetshme dhe zhvillim të karrierës.
Si pikë të dytë, ai ka përmendur rëndësinë e ruajtjes dhe mirëmbajtjes së aleancave me ndërkombëtarët, çka ai tha se po është edhe kërkesë e qytetarëve në tubime.
“Ekonomia. Sfida kryesore është në këtë fushë. Krijimi i një ambienti nxitës ekonomik, që krijon punësim me pagë dinjitoze e që mundëson zhvillim të karrierës të të rinjve në veçanti. Kjo është e para. E dyta është e mirë dhe unë e gjej me shumë interes që qytetarët janë bukur të vetëdijshëm për rëndësinë e mirëmbajtjes së aleancave me ndërkombëtarët. Ne jemi shtet që jemi konsolidu falë përpjekjes së gjërë të brezave të tërë që kanë sakrifikuar për lirinë e vendit, demokracinë në vend, pavarësinë, por edhe falë mbështetjes ndërkombëtare që kemi pasë për të realizuar aspiratat tona dhe ka një vetëdijësim të qytetarëve në këtë drejtim, por ka edhe kërkesë të tyre në çdo tubim, për këtë nevojë që të normalizojmë marrëdhëniet me aleatët tonë dhe të fuqizojmë këto aleanca që të anëtarësohemi sa më shpejt në BE dhe NATO”, ka thënë Hoti për Reporteri.net.