×
  • Lajme
  • Lajme / E konfirmon Gjykata e Mitrovicës

    Një muaj paraburgim për policin që dyshohet se shkaktoi aksidentin me tre të vdekur në Çubrel

    Reporteri
    30 Janar 2025 | 17:38

    Gjykata Themelore e Mitrovicës ia ka caktuar masën e paraburgimit prej 30 ditësh policit që dyshohet se shkaktoi aksidentin me tre të vdekur në magjistralen Mitrovicë-Pejë, në fshatin Çubrel.

    Këtë e ka konfirmuar për Gazetën Online Reporteri.net, zëdhënësja e kësaj gjykate, Hateme Haxhaj.

    “Masa e paraburgimit prej 30 ditësh është caktuar ditën e djeshme”, tha shkurtimisht Haxhaj për Reporteri.net.

    Nga hetimet fillestare të Inspektoratit Policor të Kosovës, del se vetura zyrtare e Policisë së Kosovës është fajtore. Këto hetime kanë nxjerrë se aksidenti ka ndodhur si rezultat i mos përshtatjes së shpejtësisë së lëvizjes së automjetit me kushtet e rrugës nga drejtuesi i automjetit zyrtar të policisë i cili ka kaluar në shiritin e kundërt duke goditur veturën civile.

    “Bazuar në veprimet fillestare hetimore dyshohet se aksidenti ka ndodhur si rezultat i mos përshtatjes së shpejtësisë së lëvizjes së automjetit me kushtet e rrugës nga drejtuesi i automjetit zyrtar të policisë i cili ka kaluar në shiritin e kundërt duke goditur veturën civile”, thuhej në komunikatën e IPK-së, një ditë pas aksidentit që ndodhi.

    Si pasojë e aksidentit tre persona (të cilët kanë qenë në veturën civile) një mashkull dhe dy femra mbetën të vdekur. Lëndime trupore pësuan edhe katër zyrtarët që ndodheshin në veturën e Policisë së Kosovës, e të cilët më pas u dërguan në QKUK për tretman mjekësor.

    /Reporteri.net/

    Shpërndaje:
    Të ngjashme
    Të ngjashme

    © Reporteri (R Media L.L.C.), 2019-2025. Të gjitha të drejtat e rezervuara.

    Linku i lajmit u kopjua!