Qendra Kombëtare e Kosovës për Transfuzionin e Gjakut ka shpallur tender në vlerë 30 mijë euro për furnizim me çokollata për dhurues vullnetar të gjakut, shkruan Reporteri.net.
Sipas dosjes së tenderit të publikuar në platformën e-Prokurimi, përmes kësaj kontrate parashihet furnizimi me 30 mijë çokollata, rrjedhimisht 1 euro për një çokollatë. Ato duhet të jenë me sasi 100 gramë, edhe me lajthi e qumësht.
“Dërgesat do të kryhet VETËM pas dhënies së “urdhër blerjes” që do të lëshohet nga Autoriteti Kontraktues, gjatë kohëzgjatjes së kësaj kontrate publike kornizë. Kjo kontratë publike kornizë ka kohëzgjatje prej 12 muajsh dhe është efektive prej datës në të cilën ajo hyn në fuqi”, thuhet në dosje.
Fillimisht, afati për dorëzimin e ofertave për këtë tender ka qenë 25 nëntori, por sipas një njoftimi të ri që është publikuar sot, ky afat është zgjatur deri më 18 shkurt.
Në dosje theksohet se para hapjes së ofertave, duhet të dorëzohet një mostër.
Nga kjo qendër muaj më parë kishin sqaruar se çokollatat dhe lëngjet që jepen, kanë qëllim rikthimin e energjive të personave dhurues të gjakut.
“Me qëllim që dhurimi i gjakut të jetë sa më i lehtë dhe pa probleme, praktika e mirë transfuzive rekomandon zëvendësimin energjetik dhe të lëngjeve menjëherë pas dhurimit. Rrjedhimisht, të gjithë dhuruesve të gjakut, iu jepet një çokollatë (karbohidrate, posaçërisht hekur) dhe një lëng 200-400 ml për të zëvendësuar vlerat energjetike dhe lëngjet nga dhurimi paraprak”, kishte deklaruar Bukurie Zhubi, drejtoreshë e Qendrës për Transfuzionin të Gjakut./Reporteri.net.