Bekim Baftijaraj dhe Ylber Jashari, të akuzuar për rastin e rrëzimit të kulmit të objektit të ri të Komunës së Prishtinës më 18.01.2024, ku mbeti e lënduar rëndë një kalimtare rasti, sot janë shpallur fajtorë nga Gjykata e Prishtinës.
Lidhur me këtë rast palët kanë arritur marrëveshje për pranimin e fajësisë duke u dakorduar që t`i kompensojnë 36 mijë euro në kompensim të dëmit material që prokuroria pretendon se është shkaktuar nga veprimet e të akuzuarve.
Kurse lidhur me dënimin, sipas marrëveshjes për pranimin e fajësisë të akuzuarit dhe prokurori i shtetit janë dakorduar që për Ylber Jasharin – dënimi i propozuar për gjykatën është 5 mijë deri në 7 mijë euro dënim me gjobë, kurse 1 vit dënim me burgim me kusht.
Kurse për të akuzuarin tjetër Bekim Baftijaraj është arritur pajtimi që të shqiptohet dënimi me burgim prej 6 muaj me kusht me mundësinë që t`i zëvendësohet me dënim me gjobë prej 3,500 euro deri në 4,500 euro.
Personi përgjegjës i kompanisë punëkryese, Bekim Baftijaraj akuzohet për veprën penale “Punime ndërtimore të kundërligjshme”- neni 360 paragrafi 3. Paragrafi tre i këtij neni e specifikon se në rastet kur një person ka pësuar lëndime të rënda apo është shkaktuar një dëm i konsideruar nga punimet ndërtimore të kundërligjshme, personi i akuzuar mund të dënohet me burgim nga 1 vit deri në 8 vite.
I akuzuari tjetër për këtë rast është Ylber Jashari – zyrtar komunal, për veprën penale të keqpërdorimit të pozitës apo autoritetit zyrtar.
Këtë rast është duke e gjykuar, Gëzim Ademi – gjyqtar në Departamentin e krimeve të rënda në Prishtinë, kurse për ta përfaqësuar prokurorinë prezent është prokurori, Kujtim Munishi. /Kallxo/