Hulumtuesja e Lëvizjes FOL, Burbuqe Kastrati, ka deklaruar se në listat e subjekteve politike të certifikuara për zgjedhjet e përgjithshme të 9 shkurtit 2025, janë 8 kandidatë që kanë qenë të dënuar për vepra të ndryshme penale. Ndërkohë, aktakuza aktive kanë 16 kandidatë.
Kastrati tha se nga tetë kandidatët për deputetë që kanë dënime, njëri prej tyre është i dënuar në dy raste, për vepra të ndryshme penale.
Ajo tha se tre prej këtyre deputetëve janë të dënuar për vepra penale të natyrës korruptive, konkretisht për mos raportim apo raportim të rremë të pasurisë.
Kurse tha se për përdorim të armës apo mjetit të rrezikshëm janë të dënuar katër kandidatë.
Ndërsa, tha se një kandidat është i dënuar për veprën penale “Sulm ndaj personi zyrtar” dhe “Kanosje”.
Kastrati tha se pjesën më të madhe të këtyre kandidatëve e përbëjnë ata të listës së Lëvizjes Vetëvendosje, shtatë prej tyre.
Përderisa, tha se një kandidatë është në listën e koalicionit AAK – Nisma.
Më tej, Kastrati theksoi se kandidatët e listuar më lartë janë vlerësuar në këtë raport si persona të cilët kanë probleme me ligjin, në kuptimin që ata kanë aktakuza aktive, ose që janë dënuar për vepra penale, duke theksuar se nuk është në kuptimin që atyre iu ndalohet ligjërisht që të jenë pjesë e listave të kandidatëve.
Ajo tha se këto ndalesa përcaktohen saktësisht me Ligjin për Zgjedhje të Përgjithshme. Sipas tij, në këtë ligj, mes disa ndalesave tjera, theksohet se në zgjedhje nuk mund të kandidoj personi i cili është i dënuar në tri vitet e fundit me vendim gjyqësor të formës së prerë për vepër penale, me një ose më shumë vjet burgim efektiv.
Kastrati shtoi se në listat e subjektet politike, janë 16 kandidatë që kanë aktakuza aktive.
Kastrati tha se në mesin e këtyre 16 kandidatëve, tre prej tyre kanë më shumë se një aktakuzë aktive.
Kështu, sipas saj, numri total i aktakuzave aktive ndaj këtyre kandidatëve shkon në 20.
Përderisa, tha se numri total i veprave penale shkon në 21.
Kastrati se veprat penale të cilat u vihen në barrë këtyre kandidatëve, janë të natyrave të ndryshme.
Përveç atyre të natyrës korruptive, si keqpërdorim i pozitës apo autoritetit zyrtar, në mesin e veprave penale, Kastrati tha se janë edhe katër lloje tjera të veprave penale.
“Përdorimi i armës apo mjetit të rrezikshëm”, “Mbajtja në pronësi, kontroll ose posedim të paautorizuar të armëve”, “Pengim i personit zyrtar, në kryerjen e detyrës zyrtare” dhe “Sulm ndaj personit zyrtar”, theksoi Kastrati.
Si vepra që paraqitet më së shumti në aktakuzat e ngritura ndaj këtyre kandidatëve, Kastrati tha se është “Përdorimi i armës apo mjetit të rrezikshëm”, konkretisht në nëntë raste.
Sipas saj, më pas vie vepra penale “Keqpërdorim i pozitës apo autoritetit zyrtar” në gjashtë raste, pastaj “Mbajtja në pronësi, kontroll ose posedim të paautorizuar të armëve” në pesë raste.
Përderisa tha se veprat penale “Pengim i personit zyrtar, në kryerjen e detyrës zyrtare” dhe “Sulm ndaj personit zyrtar”, paraqiten në nga një rast.
Kastrati tha se tetë prej këtyre kandidatëve i përkasin subjektit LVV, shtatë koalicionit AAK – NISMA dhe një LDK-së
Këto të dhëna u bënë të ditura gjatë konferencës për medie ku koalicioni i OJQ-ve, IKD, FOL dhe INPO prezantuan raportin “Integriteti i kandidatëve, sundimi i ligjit dhe qeverisja e mirë”. Raport ky që paraqet analizën e listave të kandidatëve dhe programeve të subjekteve të licencuara për zgjedhjet e përgjithshme 2025./Betimi për Drejtësi