×
  • Lajme
  • Lajme / Shqyrtimi fillestar

    Nagip Krasniqi deklarohet i pafajshëm për aktakuzën se i shkaktuan dëm buxhetit 37 milionë euro – Dragusha pranon fajësinë

    Reporteri
    07 Shkurt 2025 | 11:13

    Ish-Kryeshefi i Korporatës Energjetike të Kosovës, Nagip Krasniqi, është deklaruar i pafajshëm lidhur me aktakuzën e re të ngritur në dhjetor të vitit të kaluar, ku bashkë me dy të tjerë akuzohen se i shkaktuan dëm buxhetit mbi 37 milionë euro.

    Krasniqi ka thënë se është i pafajshëm për të gjitha pikat, shkruan Reporteri.net.

    “Plotësisht i pafajshëm në të gjitha pikat”, ka deklaruar Krasniqi.

    I akuzuari tjetër Isuf Zejna poashtu nuk e ka pranuar fajësinë, derisa ish-Shefi i Prokurimit në KEK, Ymer Dragusha, i akuzuar për keqpërdorim të detyrës zyrtare e ka pranuar propozimin e prokurorisë për pranimin e fajësisë dhe rekomandimin e prokurorisë për shqiptimin e dënimit.

    Sipas aktakuzës që është publikuar në media, Krasniqi në cilësinë e kryeshefit të KEK-ut, Dragusha në cilësinë e ushtruesit të detyrës së drejtorit të zyrës së prokurimit dhe Zejna, si përfaqësues i një kompanie avokatie , akuzohen se i kanë shkaktuar dëm buxhetit të shtetit rreth 37 milionë euro.

    Pika e parë e dispozitivit të aktakuzës ngarkon Krasniqin që si kryeshef i KEK-ut dhe Dragusha si u.d i drejtorit të zyrës së prokurimit në periudhën kohore prej 17 janarit 2022 deri më 27 janar 2023, duke keqpërdorur detyrën dhe autoritetin zyrtar, kanë tejkaluar kompetencat e tyre me qëllim që t’i mundësojnë përfitim personit tjetër- në këtë rast operatorit ekonomik “Litëin S.A’’, t’ua shkelin të drejtat e personave tjerë, si dhe t’i shkaktojnë dëm buxhetit të Kosovës.

    Aktakuza thotë se duke i shfrytëzuar pozitat zyrtare, me rastin e zhvillimit të aktivitetit të prokurimit i emërtuar si “Riparimi kapital emergjent i kalldasë blloku A5”, kanë vepruar në kundërshtim të plotë me rregullat e përcaktuara me Ligjin me nr.04/L-042 për Prokurim Publik në Republikën e Kosovës.

    Sipas aktakuzës së publikuar nga “Betimi për Drejtësi”, më 27 dhjetor 2022, Krasniqi e fton në zyrën e tij të pandehurin Dragusha dhe dëshmitarin Emin Tmava, duke kërkuar nga ta që në kundërshtim me rregullat e LPP-së të fillojnë procedurën e hulumtimit të tregut, me qëllim që të fillojnë procedurën e negociuar për tenderin e lartcekur edhe përkundër faktit se i pandehuri Dragusha e vë në dijeni se një procedurë e tillë është në kundërshtim me rregullat e LPP-së.

    Por, në aktakuzë thuhet se përkundër faktit se ishte në dijeni se ky veprim ishte i kundërligjshëm, sipas kërkesës së të pandehurit Krasniqi, i pandehuri Dragusha kërkon nga zyrtari Tmava që t’i ftojë në takim përfaqësuesit e OE “Intering’’, ‘’Monting Energjetika’’ dhe “Litëin S.A”, të cilët operatorë paraprakisht ishin shpallur të papërgjegjshëm në procedurën e hapur të prokurimit.

    Kurse, më 29 dhjetor 2022, Krasniqi dhe Dragusha thuhet se në lidhje me tenderin për procedurë të negociuar, kanë zhvilluar negociata me operatorët ekonomikë të cekur më lartë, pa qenë anëtarë të komisionit për vlerësim-negocim dhe ende pa u bë njoftimi për shpallje në faqen e e-prokurimit të KRPP-së, ashtu që më 16 janar 2023 pas përfundimit të negociatave me këtë operator, ka bërë njoftimin për shpallje në e-prokurim, me ç ‘rast ka eliminuar nga gara operatorët ekonomikë “Intering” SH.P.K’’ dhe ‘’Monting Energjetika’’ me qëllim që ta favorizojë operatorin ekonomik “Litëin S.A”.

    Aktakuza e parë ndaj Krasniqit është ngritur më 19 gusht të vitit të kaluar, për veprën penale të keqpërdorimit të pozitës apo autoritetit zyrtar.

    Nagip Krasniqi ishte arrestuar më 19.04.2023 nën dyshimet për keqpërdorim të pozitës zyrtare, ushtrim të ndikimit dhe konflikt të interesit.

    Krasniqi kishte qëndruar nën masën e paraburgimit që nga 20.04.2023, por ishte liruar pesë muaj më pas, me 15.09.2023. Arrestimi i Krasniqit ishte bërë me urdhër të Prokurorisë Speciale të Republikës së Kosovës./Reporteri.net/

    Shpërndaje:
    Të ngjashme
    Të ngjashme

    © Reporteri (R Media L.L.C.), 2019-2025. Të gjitha të drejtat e rezervuara.

    Linku i lajmit u kopjua!