Numërimi i votave për zgjedhjet e 9 shkurtit, po vazhdon ende. Nga rreth 73 përqind që janë numëruar, Lëvizja Vetëvendosje ka dalë partia e parë, ndonëse ka dështuar t’i marrë 500 mijë votat që i kishte kërkuar në çdo tubim gjatë fushatës. Rezultatet e KQZ’së, por edhe Exit-polleve e çesin këtë parti tek 40 përqindëshi, një rënie rreth 10 përqind krahasuar me zgjedhjet e 2021’ës. Pas saj renditen PDK’ja, e LDK’ja. AAK e kalon pragun. Koalicioni për Familjen, sipas këtyre rezultateve, do të mbetet jashtë Kuvendit.
Lëvizja Vetëvendosje ka dalë partia e parë në zgjedhjet e 9 shkurtit, por ka dështuar të arrijë targetin që kishte caktuar gjatë gjithë fushatës për 500 mijë vota. Bazuar në rezultatet preliminare të publikuara deri tash nga Komisioni Qendror i Zgjedhjeve, Demokracia në Veprim, por edhe Exit Pollet e prezantuara në media, kjo parti sillet tek 40 përqindëshi.
Dy partitë e opozitare, PDK dhe LDK, nuk kanë ndryshuar në renditje, ndonëse janë rritur në vota. Por, sikur në zgjedhjet e vitit 2021, PDK mbetet partia e dytë, e LDK’ja e treta.
Rezultatet preliminare të KQZ’së e DnV’së dhe Exit Pollet
Në web faqen e KQZ’së, përditësimi i fundit është ai i orës 23:33, ku figuron se janë numëruar mbi e 73 përqind e votave. Sipas këtyre të dhënave preliminare, VV renditet e para me 41.99 përqind, PDK e dyta me 22.68 përqind, LDK e treta me 17.90 përqind dhe AAK e katërta me 7.56 përqind. Këto vota janë nga 1 mijë e 850 vendvotime nga 2 mijë e 533 sa janë total.
Edhe organizata “Demokracia në Veprim”, e rendit këtë parti aty-aty. Sipas DnV, Vetëvendosja është e para me 40.4 përqind, PDK e dyta me 21.7 përqind, LDK e treta me 17.5 përqind, e AAK e katërta me 7.2 përqind, derisa Koalicioni për Familjen 2.4 përqind.
Renditja e këtyre partive është e njëjtë edhe sipas Exit-Polleve që u publikuan nga Baton Haxhiu, Ubo Consultin dhe ai i Klan Kosovës.
Sipas Exit-pollit të Kompanisë UBO Consulting, Lëvizja Vetëvendosje ka marrë 40.3 %, Partia Demokratike e Kosovës ka marrë 21.4 %, Lidhja Demokratike e Kosovës ka marrë 19.3 %, Aleanca për Ardhmërinë e Kosovës me 7.2 %.
Exit-polli i Baton Haxhiut e ka renditur Vetëvendosjen si partinë fituese me 37 përqind, PDK me 23 përqind, LDK me 20 përqind e AAK/NISMA 8 përqind.
Ndërkohë, sipas EXIT POLL-it të Klan Kosovës, Lëvizja Vetëvendosje ka dalë parti e parë me 38.2%, PDK e dyta me 22.4%, LDK e treta me 20.1%, AAK e katërta me 7.6%.
Me rezultate ka dalë edhe Kreu i Lidhjes Demokratike të Kosovës, Lumir Abdixhiku. Në një konferencë për media, ai ka thënë se nga të dhënat e marra nga komisionerët dhe vëzhguesit e kësaj partie, LDK radhitet e treta me 18.14 për qind, PDK e dyta me 21.84 përqind dhe Vetëvendosja e para me 39.88 përqind.
Problemet në web faqen e KQZ’së – vonohet shpallja e rezultateve preliminare
Webfaqja e Komisionit Qendror të Zgjedhjeve më shumë ka qenë funksionit, në orët e mbrëmjes së 9 shkurtit, duke pamundësuar kështu qasjen në përditësimin e rezultatit.
Për këto probleme, u deklarua në konferencë edhe Kryetari i Komisionit Qendror të Zgjedhjeve, Kreshnik Radoniqi.
Ai tha se pavarësisht përgatitjeve të bëra, sistemi nuk ka funksionuar siç ishte paraparë.
“Nuk po dimë çka ka ndodhë, as kompania që e mirëmbanë, e as ekspertët. Është blloku sistemi në disa të dhëna dhe nuk ka ndryshuar. Pas shumë përgatitjeve dhe testimeve që kemi bërë, gjithçka ishte gati që sot të transmetojmë rezultatet preliminare për subjektet politike ashtu siç kemi bërë edhe në të kaluarën. Por, për arsye se aplikacioni për përpunimin dhe prezantimin e të dhënave nuk ka funksionuar, ne nuk po arrijmë që t’i transmetojmë këto të dhëna përmes platformës elektronike” ka deklaruar Radoniqi.
Pavarësisht problemeve teknike, Radoniqi tha se i siguron qytetarët se votat janë të sigurta.
“Dua t’ju sigurojë që votat janë të sigurta, integriteti i votës është i sigurt”, shtoi ai.
Presidentja Vjosa Osmani doli me reagim, pas problemeve të raportuara, dhe kërkoi që të mbrohet integriteti i procesit zgjedhor, duke siguruar që çdo votë të numërohet saktë.
“Presidentja e Republikës së Kosovës përgëzon qytetarët që, edhe në këtë proces zgjedhor, treguan kulturë të lartë demokratike. Ajo ka shprehur pritshmërinë që KQZ-ja do të përfundojë me sukses numërimin e votave brenda mbrëmjes së sotme. Megjithatë, pas dështimit të softuerit, informacion ky i konfirmuar nga KQZ-ja, Presidentja ka kërkuar që të mbrohet integriteti i procesit zgjedhor, duke siguruar që çdo votë të numërohet saktë. Presidentja do të vazhdojë të jetë në kontakt me të gjitha institucionet përkatëse, deri në sigurimin e plotë që i gjithë procesi zgjedhor, përfshirë numërimin dhe publikimin e rezultateve, të zhvillohet në përputhje me standardet më të larta demokratike dhe në përputhje me vullnetin qytetar”, u tha në deklaratën e Presidentes.
Pati raportime se për këto probleme, Prokuroria Speciale ka urdhëruar nisjen e hetimeve, por kjo u demantua shumë shpejt nga ky institucion.
Zëdhënësja e Prokurorisë Speciale, Liridona Kozmaqi, i tha Gazetës Online Reporteri.net se nuk është dhënë ndonjë urdhër i tillë.
“Ju informoj se Prokurori i Shtetit, duke e perfshire edhe Prokurorinë Speciale, nuk ka dhënë urdhër për nisjen e hetimeve kundër KQZ-së”, deklaroi Kozmaqi.
Votimi në orët e vona në Pulmologji e problemet në pikën grumbulluese te “1 Tetori”
Ndonëse vendvotimet mbyllen zyrtarisht në orën 19:00, në Qendrën Klinike dhe Universitare të Kosovës, votimi vazhdoi deri në orën 23:00, sipas burimeve të Reporteri.net. Se cila ishte arsyeja për këtë, nuk u dha ndonjë sqarim.
Zëdhënësi i QKUK’së, Shpend Fazliu i tha Gazetës Online Reporteri.net se kompetentë për këtë çështje janë Komisioni Qendror i Zgjedhjeve, duke shtuar se ata vetëm u kanë dërguar listat me pacientë të shtrirë.
“Vetëm me KQZ, se nuk jemi kompetentë. Në vetëm ju kemi dërgu listat me pacientë të shtrirë! Organizimin dhe mbarëvajtjen e bën KQZ!”, ka deklaruar shkurt Fazliu.
Një problem doli edhe tek salla “1 Tetori”, ku u ndaluaa pranimi i materialit sensitiv që ka ardhur nga Qendrat e Votimit për shkak se është bllokuar faqja e KQZ-së.
Burime të Gazetës Online Reporteri.net bënë të ditur se zyrtarët e KQZ-së ende nuk po e bëjnë pranimin e materialit senitiv me arsyetimin se nuk është bërë ende aktiv serveri i tyre.
Lidhur me rastin është njoftuar edhe Policia e Kosovës, të cilët kanë dalë në vendin e ngjarjes.
Kurti shpall fitoren, Abdixhiku merr përgjegjësinë për rezultatin
Kryetari i Lëvizjes Vetëvendosje, njëherit kandidat për kryeministër, Albin Kurti, pas rezultatave, doli tek sheshi “Skënderbeu”, prej ku iu drejtua mbështetësve të kësaj partie që ishin mbledhur atje. Kurti tha se edhe pse ende nuk janë shpallur rezultatet përfundimtare, ato preliminare tregojnë se Lëvizja Vetëvendosje është fituese.
“Nuk i kemi ende rezultatet përfundimtare, por rezultatet preliminare tregojë një gjë të vërtetë e të saktë, se Lëvizja Vetëvendosje është fituese e zgjedhjeve të 9 shkurtit. Bravo. Urime!”, tha Kurti.
Në këtë fjalim, ai përçmoi dy partitë opozitare, PDK’në e LDK’në.
“Ajo që dihet nga rezultatet preliminare është që edhe me i ba bashkë LËDËKYHIN, E PËDËKYHIN nuk bajnë sa Vetëvendosja jonë”, tha Kurti.
“Thojshin që buxheti i shtetit do të bëhet më i madh se bruto produkti vendor. Çfarë hajvanash. Ose jepshin premtime për koeficient më shumë se në programin e tyre, çfarë hajvanash. Por, ka kalu koha e hajvanatit”, ka thënë Kurti.
Pas rezultateve, në konferencë doli edhe kreu i LDK’së, Lumir Abdixhiku.
Ai tha se përgjegjësinë për rezultatin e merr vetë ai, por shtoi se nuk do të jap dorëheqje.
“Rezultat që e respektojmë. Përgjegjësinë për këtë rezultat e marrë në tërësi unë, edhe për fushatën edhe për drejtimin e parties…Dritë do të ketë në Kosovë, ky është rezultat demokratik, LDK del me rritje të konsiderueshme nga ky proces, ndonëse rezultati sështë i kënaqshëm në përmasat që kemi pritur edhe ne”, tha Abdixhiku në konferencë.
Nga Partia Demokratike e Kosovës, foli Blerand Stavileci, i cili rezultatin e kësaj partie e cilësoi si inkurajuyes.
“Rezultati është inkurajues, ajo që e kemi thënë gjatë gjithë kohës, kryetari Memli Krasniqi dhe kandidati për kryeministër Bedri Hamza, gjatv gjithë kohës kanë punuar në mënyrë me vizion e përkushtim për t’i bashkuar njerëzit për një Kosove më të mirë”, tha ai para gazetarëve.
Ndërkohë, Kryetari i Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës, Ramush Haradinaj, ka thënë se opozita i ka fituar zgjedhjet.
Ai tha se rezultati i AAK-së është dyshifrorë e jo siç është paraqitur në Exit Pollet nga 6 deri 8%, teksa shtoi se mezi pret të bashkëpunojë me opozitën për formimin e Qeverisë.
“Ne jemi të sigurt që kemi rezultat dyshifror, këtë do ta vërtetojmë me numërimin e vendit. Ajo që po më gëzon është se opozita i ka fituar zgjedhjet dhe pres me padurim të bashkëpunojmë për formimin e Qeverisë”, ka thënë Haradinaj.
Ndryshe, në zgjedhjet e sotme, sipas rezultateve preliminare të KQZ’së, kanë marrë pjesë 789 mijë e 172 votues. Ky rezultat është nga 2297 vendvotime apo 90.68 përqind e tyre.
Zëdhënësi i KQZ’së, Valmir Elezi, tha se krahasuar me zgjedhjet e vitit 2021, kanë votuar më pak qytetarë. Në ato zgjedhje kishin votuar 46.90 përqind./Reporteri.net