Kosova është ngritur për 10 vende në Indeksin e Perceptimit të Korrupsionit të “Transparency International”. Ambasadori i Gjermanisë në Kosovë, Jorn Rohde ka përgëzuar institucionet e Kosovës për këtë arritje .
Rohde përmes një postimi në platformën X, ka thënë se ky sukses tregon përkushtimin e Kosovës ndaj sundimit të ligjit, transparencës dhe qeverisjes së mirë.
“Që nga ardhja ime këtu në 2020, Kosova është ngritur me 31 vende në Indeksin e Transparency International, duke u renditur tani në pozitën e 73-të në nivel global dhe të dytën në rajon pas Malit të Zi. Ky sukses tregon përkushtimin e Kosovës ndaj sundimit të ligjit, transparencës dhe qeverisjes së mirë. Vazhdoni me këtë trend pozitiv!”, ka shkruar Rohde.
Në raportin e publikuar të martën, organizata ndërkombëtare “Transparency International” që mat perceptimin e korrupsionit në mbarë botën, vlerëson se ky fenomen vazhdon të jetë i përhapur në shtetet e Ballkanit Perëndimor, ku Shqipëria dhe Kosova janë të vetmet shtete në këtë rajon që kanë shënuar përmirësim, ndërkohë që Serbia, Maqedonia e Veriut dhe Bosnja e Hercegovina shënuan rënie gjatë vitit të fundit./Reporteri.net/