Në fjalën përfundimtare të mërkurën në Gjykatën Themelore në Prishtinë, prokurori i rastit, Besart Mustafa është tërhequr nga akuza për mosdeklarim të pasurisë ndaj kryetares së Graçanicës, Liljana Shubariq, me arsyetimin se nuk është vërtetuar dashja, pasi që kjo vepër penale kryhet vetëm më dashje direkte.
Në këtë rast, Liljana Shubariq ngarkohet se me rastin e deklarimit të pasurisë në vitin 2021, nuk ka deklaruar pasurinë e paluajtshme në emër të bashkëshortit, raporton “Betimi për Drejtësi“.
“U kuptua që pasuria u fitua disa muaj para se e njëjta të deklaronte dhe këtë pasuri bashkëshorti i saj e kishte regjistruar, por që e pandehura nuk e kishte deklaruar dhe ne nuk mund të gjejmë asnjë provë që e vërteton dashjen. Andaj, bazuar në të gjitha provat e administruara, tërhiqem nga ndjekja penale kundër të pandehurës”, tha prokurori Mustafa.
Lidhur me këtë, nuk pati asnjë kundërshtim edhe nga ana e mbrojtësit të të akuzuarës, avokati Negovan Sharanoviq.
“Bazuar në faktet që prokurori deklaroi që e tërhek aktakuzën, e pandehura është në pajtim me vendimin e Prokurorisë dhe në këtë kuptim nuk do të deklarohem më tepër”, tha avokati Sharanoviq.
Sipas aktakuzës së ngritur më 31 maj 2023, e pandehura Liljana Shubariq, në cilësinë e zyrtares së lartë publike, përkatësisht në cilësinë e kryetares së Komunës së Graçanicës, me dashje nuk ka deklaruar, apo paraqitur të dhënat e kërkuara në formularin për deklarimin e pasurisë me rastin e deklarimit të pasurisë në vitin 2021, duke mos deklaruar pasurinë e luajtshme me sipërfaqe prej 400 m2 në emër të bashkëshortit të saj, Sasha Shubariq.
Me këtë, akuzohet se ka kryer veprën penale “Mosraportim apo raportim i rremë i pasurisë, i të ardhurave, i dhuratave, i dobisë tjetër materiale ose i detyrimeve financiare” nga neni 430, paragrafi 2 të Kodit Penal.