Ushtruesit të detyrës së Drejtorit të Autoritetit Rajonal të Pellgjeve Lumore, Naser Hafizit, i është vazhduar masa e paraburgimit edhe për një muaj. Ai dyshohet për veprat penale “Keqpërdorim të detyrës e autoritetit zyrtar”, “Shpëlarje të parave” dhe “Mosraportim apo raportim të rremë të pasurisë të të ardhurave, dhuratave, dobisë tjetër pasurore ose i detyrimeve financiare.
Lajmin për Reporteri.net e ka konfirmuar zëdhënësja e Gjykatës Themelore të Prishtinës, Mirlinda Gashi.
“Ju njoftojmë se pas kërkesës së Prokurorisë Speciale të Republikës së Kosovës PPS.nr.84/2024 e datës 05.02.2025 për vazhdimin e masës së paraburgimit në kohëzgjatje prej një muaji, në çështjen penale kundër të pandehurit N.H., Gjykata Themelore në Prishtinë – Departamenti Special me datë 10.02.2025 ka marr Aktvendim dhe ka aprovuar kërkesën e PSRK-së, ashtu që masa e paraburgimit të pandehurit N.H. iu është vazhduar në kohëzgjatje prej 1 (një) muaj”, ka deklaruar Gashi për Reporteri.net.
Hafizi dyshohet se kundërligjshëm ka iniciuar nxjerrjen e vendimeve për zvogëlimin e borxheve për ambalazhuesit e ujit Sipas vendimit të Gjykatës, ekziston dyshimi se Hafizi ka kryer veprat në cilësinë e zëvendësuesit të drejtorit të ARPL-së në MMPHI, në kundërshtim me Ligjin për Ujërat e Kosovës, udhëzimin administrativ Nr. 06/2021 për Strukturën e pagesave Ujore, si dhe ka anashkaluar raportin e Grupit Ministror, i cili ishte formuar për qëllim të përllogaritjes së borxheve të ambalazhuesve ndaj ARPL-së.
Në vendim, thuhet se raporti në fjalë tregonte se vlera e përgjithshme e borxheve të krijuara nga operatorët ekonomikë është 19,297,447.67 euro, ndërsa i pandehuri pa bazë ligjore ka iniciuar nxjerrjen e vendimeve të paligjshme për zvogëlimin e borxheve të disa operatorëve ekonomikë, me qëllim të përfitimit për veten ose për persona të tjerë në mënyrë të kundërligjshme, duke i shkaktuar dëm buxhetit të Kosovës.
Po ashtu, në vendim thuhet se më 22 mars 2022, Hafizi përmes një vendimi preliminar për detyrim financiar për Operatorin Ekonomik (OE)- ambalazhuesin e ujit Compakt Group- “Adea Group” për shfrytëzimin e ujit në vlerë të 3,616,812.00, ndërsa më 17 nëntor 2022 për të njëjtin operator kishte iniciuar detyrim financiar në vlerë të 41,433,60 euro për periudhën kohore 2018-2021, duke mos inkasuar borxhin prej vitit 2010, prej kur këtij operatori i ishte dhënë leja ujore. Si rrjedhojë, këtij operatori i ishte llogaritur vlera më e ulët e borxhit në krahasim me të dhënat e raportit të Grupit Punues ministror.
Ndërsa, më 7 shtator 2024, thuhet se Hafizi kishte iniciuar vendim për OE “Fluidi”, të cilit prej janarit 2009 deri në qershor 2021, i cakton detyrim financiar 13,072.31 euro edhe pse ky operator sipas GP Ministror kishte borxh prej 4,458,24.00 euro gjatë periudhës kohore 2008-2013. Ndërsa, e nëse do llogaritej edhe periudha prej vitit 2014 e tutje borxhi do të ishte më i lartë.
Tutje thuhet se më 31 gusht 2021 ka iniciuar nxjerrjen e vendimit për përllogaritjen e detyrimit financiar për kompaninë “FRUTTI”, të cilit prej 2017-2021 i përcakton detyrim financiar prej 39, 81 euro, ndonëse këtij ky operator ka operuar si ambalazhues dhe përllogaritja e detyrimit për ujin e shfrytëzuar është dashur që t’i llogaritet për litër të shitur e jo metër kub.
Në anën tjetër, më 11 mars 2022, thuhet se i pandehuri kishte iniciuar nxjerrjen e vendimit financiar për Operatorin Ekonomik “FRUTEX”, i cili si aktivitet ka prodhimin dhe ambalazhimin e lëngjeve freskuese, dhe nga periudha korrik 2019- dhjetor 2021 i ka përcaktuar detyrim financiar prej 127.40 euro.
Gjithnjë sipas vendimit, më datë 22 mars 2022, pa bazë ligjore ka iniciuar vendim për nxjerrjen e detyrimeve financiare për ambalazhuesin e ujit “Getrinke” sh.p.k Vrellë, për shfrytëzim të ujit të papaguar në vlerë prej 411,180,00 euro, ndërsa më 28 qershor 2022, këtij operatori për periudhën maj- dhjetor 2012 deri në janar-dhjetor 2021, i përllogarit detyrim financiar në vlerë prej 180,605.33 euro, duke mos marrë parasysh të dhënat e nxjerra nga GP ministror.
Më tej, thuhet se më 28 mars 2022, nxori vendim për detyrim financiar për ambalazhuesin e ujit “Silca Gruop- Uji Miros”, se për shfrytëzimin e ujit të papaguar kishte borxh në vlerë prej 2,255,040,00 euro, ndërsa më pas është marrë vendim financiar duke anashkaluar të dhënat e nxjerra nga Grupi Punues ministror, duke i llogaritur borxhin vetëm 553,247,30 euro në bazë të raportimit nga OE, pa verifikuar të dhënat nëse ishin të sakta.
Gjithashtu, po me këtë datë, thuhet se për ambalazhuesin e ujit N.T.P “ADI”, për shfrytëzimin e ujit të papaguar nxori vendim për llogaritje të borxhit në vlerë prej 216,000.00 euro, ndërsa më pas për ambalazhuesin e njëjtë të ujit më 20 mars 2023, është marrë vendim financiar me të cilin e ngarkon me detyrim prej 48,783,94 euro, për periudhën 2011-2022.
Në këtë vendim, thuhet se i pandehuri Naser Hafizi duke shkelur detyrat zyrtare në mënyrë të kundërligjshme, ka bërë përllogaritje të gabuar dhe në dhjetor 2023 ka iniciuar procedurën për vazhdimin e lejes ujore, duke i mundësuar OE “FRUTTI” vazhdimin e lejes ujore pa i plotësuar kushtet ligjore.
Këtë, thuhet se e ka arritur duke ushtruar presion të zyrtarët e MMPHI-së, e duke i kërcënuar se nëse nuk do të vepronin sipas kërkesave të tij, do të inicionte procedura disiplinore për largim nga puna.
“Me këto veprime, i pandehuri e ka dëmtuar buxhetin e Republikës së Kosovës dhe dëmi i shkaktuar me marrjen e këtyre vendimeve konsiderohet i një shkalle të lartë e që saktësisht mbetet të përcaktohet më vonë nga ekspert të fushës përkatëse”, thuhet në aktvendim.