Mëngjesin e sotëm u raportua për një incident brenda hapësirave të Qendrës Klinike Universitare të Kosovës.
Siç u raportua në media, një person në orët e hershme të mëngjesit të së premtes e ka mbajtur peng një grua në njërën prej klinikave të Qendrës Klinike Universitare të Kosovës.
Nga QKUK-ja kanë konfirmuar rastin dukë bërë të ditur se menjëherë janë marrë të gjitha masat nga ky institucion dhe është njoftuar edhe Policia e Kosovës.
QKUK thotë se rasti është i izoluar dhe nuk paraqet rrezik.
“Qendra Klinike Universitare e Kosovës, njofton se në orët e hershme të mëngjesit, është njoftuar për një incident, brenda hapësirave të klinikave. Menjëherë janë ndërmarrë masat emergjente nga institucioni, është njoftuar edhe Policia e Kosovës. Pas masave të ndërmarra rasti është izoluar dhe nuk paraqet rrezik”, thuhet në njoftim.
Gazeta online Reporteri.net ka kontaktuar edhe me Policinë e Kosovës për të marrë më shumë detaje rreth rastit dhe është në pritje të një përgjigje. /Reporteri.net/