×
  • Lajme
  • Lajme

    Dita e Pavarësisë, Hoti: Moment i veçantë i krenarisë dhe i shpresës për të ardhmen

    Reporteri
    17 Shkurt 2025 | 9:17
    Foto: Adriatik Jakupi, Reporteri

    Ish-kryeministri i Kosovës, Avdullah Hoti ka uruar Kosovën në Ditën e Pavarësisë.

    Në këtë ditë historike, Hoti thotë se duhet kujtuar sakrifica e të gjithë atyre që dhanë jetën për liri, si dhe arritjet e Kosovës ndër vite, prej kur u bë shtet.

    Urimi i plotë i Avdullah Hotit:

    17 vite pavarësi

    Më 17 shkurt 2008, Kosova shpalli pavarësinë e saj, duke u bërë shtet i pavarur dhe i njohur nga shumica e shteteve të botës. Ky ishte një moment historik, që pasoi një periudhë të gjatë të rezistencës paqësore dhe luftës për liri nga Ushtria Çlirimtare e Kosovës. Pas dekadash të vuajtjes nga regjimi i Millosheviçit dhe luftës së përgjakshme të vitit 1999, populli i Kosovës arriti të realizojë ëndrrën për të jetuar në një shtet të lirë dhe demokratik.

    Vizioni i Presidentit Rugova për një Kosovë të pavarur dhe demokratike kulmoi pikërisht në këtë ditë 17 vjet më parë.

    Kosova ka bërë hapa të mëdhenj në zhvillimin ekonomik, forcimin e institucioneve e të demokracisë, por ende ka nevojë për më shumë përpjekje për t’u integruar plotësisht në institucionet ndërkombëtare.

    Në përvjetorin e pavarësisë kujtojmë sakrificat e mëdha të atyre që dhanë jetën për lirinë e Kosovës, veteranët e luftës, si dhe të gjithë atyre që u angazhuan për të ndihmuar Kosovën të ndërtojë një të ardhme më të mirë.

    Në këtë përvjetor, është gjithashtu një mundësi për të theksuar rëndësinë e unitetit të brendshëm, koordinimit me aleatët tanë dhe forcimi i marrëdhënieve me vendet demokratike. Njohja e Kosovës nga shtetet e tjera, përfshirë 5 shtetet e Bashkimit Evropian, është një hap pozitiv drejt afirmimit të plotë të Kosovës në skenën ndërkombëtare.

    Dita e Pavarësisë së Kosovës është një moment i veçantë i krenarisë dhe i shpresës për të ardhmen.

    Republika e Kosovës është projekt i përhershëm dhe dashuria për Republikën tonë është e përhershme!

    Shpërndaje:
    Të ngjashme
    Të ngjashme

    © Reporteri (R Media L.L.C.), 2019-2025. Të gjitha të drejtat e rezervuara.

    Linku i lajmit u kopjua!