Komandanti i misionit të KFOR-it të udhëhequr nga NATO, gjeneralmajor Enrico Barduani, priti sot vizitën e Presidentit të Republikës së Shqipërisë 🇦🇱, Shkëlqesisë së Tij Bajram Begaj, në Shtabin e KFOR-it, në Camp Film City në Prishtinë.
Në njoftimin e KFOR-it thuhet se vizita ishte mundësi për të prezantuar aktivitetet e KFOR-it nën mandatin e tij të OKB-së dhe përpjekjet e tij të vazhdueshme për sigurinë në mbështetje të dialogut të lehtësuar nga BE-ja ndërmjet Prishtinës dhe Beogradit.
Gjeneral-major Barduani përgëzoi gjithashtu Presidentin Begaj për kontributin e Shqipërisë për KFOR-in dhe stabilitetin rajonal.
“KFOR-i vazhdon të zbatojë mandatin e tij – bazuar në Rezolutën 1244 të Këshillit të Sigurimit të OKB-së të vitit 1999 – për të kontribuar në një mjedis të qetë dhe të sigurt për të gjithë njerëzit dhe komunitetet që jetojnë në Kosovë dhe lirinë e lëvizjes, në çdo kohë dhe në mënyrë të paanshme. KFOR-i punon në koordinim të ngushtë me Policinë e Kosovës dhe Misionin e Bashkimit Evropian për Sundimin e Ligjit në Kosovë (EULEX) në rolet e tyre përkatëse si reagues të sigurisë”, thuhet në njoftim.
/Reporteri.net/