×
  • Lajme
  • Botë

    SHBA, ekonomistët shqyrtojnë rritjen e inflacionit

    Reporteri
    20 Shkurt 2025 | 20:58

    Janari shënoi një rritje të inflacionit në Shtetet e Bashkuara, ndërsa çmimi i ushqimeve, karburantit dhe shtëpive, mes të tjerash, vazhdon të rritet. Zëri i Amerikës bisedoi me dy ekonomistë lidhur me veprimet që mund të ndërmarrë administrata e Presidentit Donald Trump për të ndikuar tek ulja e çmimeve.

    Inflacioni në Shtetet e Bashkuara ende nuk është nën kontroll. Indeksi i Çmimeve të Konsumit u rrit 3% gjatë janarit, krahasuar me një vit më parë, sipas raportit të fundit nga Departamenti amerikan i Punës. Ekspertët thonë se rritja u shkaktua nga disa faktorë.

    Zëri i Amerikës bisedoi me ekonomisten Allison Schrager të Institutit të Manhatanit.

    “Kostoja e strehimit vazhdon të rritet. Shërbimet ishin ende të kushtueshme. Çmimet e mallrave po uleshin kryesisht pas përmirësimit të situatës së kovidit dhe ky progres kryesisht ka ngecur”.

    Edmond Berisha është profesor i ekonomisë në Universitetin Shtetëror Montclair.

    “Situata është e mirë, sa i përket papunësisë, çka do të thotë se amerikanët po punojnë, po sigurojnë të ardhura dhe po bëjnë shpenzime. Shpenzimet e larta po i mbajnë çmimet e larta”.

    Analistët thonë se Presidenti Donald Trump trashëgoi në përgjithësi një ekonomi të qëndrueshme. Por Presidenti Trump e fajëson Presidentin Biden për inflacionin.

    “Kjo u shkaktua nga Bideni. Gjatë mandatit tim, praktikisht nuk kishim inflacion. Unë sapo kam marrë pushtetin”, thotë Presidenti Trump

    Ekonomistja Allison Schrager thotë se disa masa të propozuara nga administrata e Presidentit Trump mund të forcojnë ekonominë.

    “Kryesisht shkurtimi i taksave për korporatat, reformat e mundshme tatimore dhe zbutja e rregulloreve, do ta nxisin ekonominë”.

    Konsumatorët nuk pritet të kenë përfitime kur flitet për normat e interesit. Ekspertët thonë se mund të merren masa të tjera për lehtësuar koston e jetesës.

    “Mbështetja për tregun e lirë aq sa është e mundur. Tjetra është se ne duam të stimulojmë edhe prodhimin”, thotë eksperti Edmond Berisha.

    Profesori i ekonomisë në Universitetin Shtetëror Montclair në Nju Xhersi thotë se inflacioni është fenomen botëror. Krahasuar me vendet e tjera, ekonomia amerikane është në gjendje të mirë, pavarësisht rritjes modeste të vendeve të punës në muajin janar. /VOA

     

    Shpërndaje:
    Të ngjashme
    Të ngjashme

    © Reporteri (R Media L.L.C.), 2019-2025. Të gjitha të drejtat e rezervuara.

    Linku i lajmit u kopjua!