Gara mes Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës dhe Nismës Socialdemokrate për ulëse në Kuvend po vazhdon të ashpërsohet, tani kur numërimi i votave të kandidatëve është thuajse në përfundim.
Me rezultatet nga 94.67 përqind e vendvotimeve të procesuara, ndarja e ulëseve në Kuvend brenda këtij koalicioni është 5 me 3 në favor të AAK-së. Mirëpo Nisma është afër që ta sigurojë edhe një ulëse. Gara është mes kandidatëve Lahi Brahimaj e Vesel Krasniqi.
Përderisa mbrëmë dallimi në vota mes tyre ishte për rreth 250 vota, në favor të Brahimajt, ky numër sot ka rënë në 190. Brahimaj i AAK’së ka 10 mijë e 973 vota, e Krasniqi i Nismës 10 mijë e 783 vota, shkruan Reporteri.net.
Deri tani mandatin e deputetit nga këto dy parti e kanë siguruar Ramush Haradinaj, Fatmir Limaj, Daut Haradinaj, Bekë Berisha, Time Kadriaj, Arbërsha Krasniqi, e Lahi Brahimaj, ndonëse ky nuk e ka të sigurt ende ulësen. Edhe Xhevahire Izmaku e NISMËS, falë kuotës gjinore, mund të jetë pjesë e Kuvendit të ri, ndonëse e vendosë KQZ-ja, sipas shpërndarjes së mandateve me kuotën gjinore brenda të gjitha partive.
Numërimi është duke vazhduar ende në tri komuna: Pejë, Prishtinë dhe Leposaviq.
Në këto rezultate preliminare s’janë të përfshira votat nga diaspora, ato me kusht e ato të personave me aftësi të kufizuara./Reporteri.net