Policia e Kosovës, ka dhënë detaje për rastin e të shtënave me armë që ndodhi më herët në lagjen Dardania të Prishtinës.
Policia e ka konfirmuar raportimin e gazetës online Reporteri.net se një person ka mbetur i plagosur si pasojë e të shtënave.
Zëdhënësja e Policisë së Kosovës për rajonin e Prishtinës, Flora Ahmeti, ka bërë të ditur se viktima është dërguar për trajtim mjekësor.
‘‘Rreth orës 20:00 kemi marrë informatën për të shtëna me armë zjarri, në lagjen Dardania në Prishtinë. Njësitet policore menjëherë kanë dalë në vendin e ngjarjes, nga ku është raportuar se një person është plagosur. Personi i plagosur, (mashkull), është dërguar për trajtim mjekësor, ndërkohë policia ka nisur një hetim lidhur me rrethanat e këtij rasti’’, ka thënë Ahmeti.
Reporteri.net raportoi se dy të dyshuarit, të veshur me të zeza dhe me kapele në kokë kanë ikur në këmbë nga vendi i ngjarjes.