Komisioni Qendror i Zgjedhjeve, ka përditësuar të dhënat e fundit në lidhje me votat e kandidatëve për deputetë.
Në përditësimin e bërë me 99.96%, numri i votave të kandidatëve për kryeministër nga partitë politikë është rritur, gjithnjë pa llogaritur votat me kusht dhe të diasporës, shkruan Reporteri.net.
Kandidati i VV-së për kryeministër, Albin Kurti është i pari me 290 mijë e 729 vota.
Kandidati i PDK-së për kryeministër, Bedri Hamza, ka marrë 164 mijë e 368 vota.
Kandidati i LDK-së për kryeministër Lumir Abdixhiku, ka 126 mijë 280 vota.
Kandidati i koalicionit AAK-NISMA për kryeministër, Ramush Haradinaj, ka 42 mijë e 658 vota.
Komisioni Qendror i Zgjedhjeve ka njoftuar se të premten në mbrëmje, është përmbyllur procesi i numërimit të votave të kandidatëve për deputetë dhe verifikimit të votave të subjekteve politike nga formularët e plotësuar në vendvotime më 9 shkurt.
Gjatë javës së ardhshme nis numërimi i votave me kusht dhe nga diaspora, shkruan gazeta online Reporteri.net.
Në njoftimin e KQZ-së thuhet se në 38 Qendrat Komunale të Numërimit, Komisioni Qendror i Zgjedhjeve ka ofruar transparencë të plotë të procesit të numërimit duke prezantuar në ekrane punën e çdo ekipi të numërimit, përfshirë pamjen e fletëvotimeve të plotësuara në vendvotime nga votuesit dhe krijimin e formularëve digjital.
“Gjatë kësaj periudhe, numri i vendvotimeve të rregullta që janë numëruar është 2,533, në të cilat më 9 shkurt 2025 janë mbajtur Zgjedhjet për Kuvendin e Kosovës. Në Qendrat Komunale të Numërimit, përveç procesit të numërimit të votave të kandidatëve për deputetë, është bërë edhe verifikimi i votave të subjekteve politike nga formularët të cilët janë plotësuar në vendvotime pas numërimit të votave për subjektet politike.”, thuhet në njoftim. /Reporteri.net/.