×
  • Lajme
  • Shqipëria

    Detaje tronditëse për vdekjen e 3 vjeçarit në Shkodër, prindërit nuk e lanë në spital përkundër rekomandimit të mjekëve

    Reporteri
    24 Shkurt 2025 | 16:54

    Një ngjarje e rëndë ka tronditur fshatin Mjedë në Vau Dejës, ku një fëmijë 3-vjeçar ka ndërruar jetë, ndërsa motra e tij 7-vjeçare ndodhet në gjendje kritike në spitalin e Tiranës.

    Sipas raportimeve, vogëlushi është dërguar fillimisht në Spitalin Rajonal të Shkodrës, ku ka marrë një serum dhe më pas është larguar me prindërit. Mjekët kishin rekomanduar që ai të qëndronte në observacion për mbikëqyrje të mëtejshme, por familjarët kanë firmosur për ta çuar në shtëpi.

    Të nesërmen, gjendja e tij është përkeqësuar ndjeshëm dhe është rikthyer me urgjencë në spital, por fatkeqësisht nuk ka mundur të mbijetojë, pavarësisht përpjekjeve të mjekëve në reanimacion.

    Ndërkohë, motra e tij 7-vjeçare ka shfaqur simptoma të ngjashme dhe është transportuar menjëherë drejt spitalit në Tiranë për trajtim më të specializuar.

    Ajo ndodhet në gjendje kritike, ndërsa mjekët po bëjnë të pamundurën për ta shpëtuar. Shkaqet e kësaj tragjedie mbeten ende të paqarta.

    Aktualisht, po kryhen analizat toksikologjike për të përcaktuar shkakun e sëmundjes që preku dy fëmijët, ndërsa burime pranë Spitalit të Shkodrës kanë përjashtuar infeksionin nga meningiti.

    Nëna e fëmijëve, e cila është shtatzënë, ndodhet nen kujdesin e bluzave të bardha.

    Autoritetet dhe mjekët po vazhdojnë hetimet për të zbardhur plotësisht këtë ngjarje tragjike.

    Njoftimi:

    Më datë 21.02.2025, shtetasi S. Hasmegaj ka dërguar për mjekim në Repartin e Pedriatrisë në Spitalin Rajonal Shkodër, 2 fëmijët e tij, vajzën 7 vjeçe dhe djalin 3 vjeç, të dyshuar me virozë stine. Pas mjekimit, shtetasi S. Hasmegaj dhe 2 fëmijët janë larguar në banesë.

    Për shkak të rëndimit në gjendjes shëndetësore të fëmijëve, në banesë, më datë 22.02.2025, shtetasi S. Hasmegaj i ka dërguar përsëri 2 fëmijët për mjekim në Repartin e Pedriatrisë në Spitalin Rajonal Shkodër.

    Pavarësisht ndihmës mjekësore, 3-vjeçari ka humbur jetën, ndërsa 7-vjeçarja u dërgua në QSUT, për mjekim të specializuar.

    Në drejtimin e Prokurorisë vijojnë hetimet për përcaktimin e shkakut të humbjes së jetës së 3-vjeçarit. /vizionplus/

    Shpërndaje:
    Të ngjashme
    Të ngjashme

    © Reporteri (R Media L.L.C.), 2019-2025. Të gjitha të drejtat e rezervuara.

    Linku i lajmit u kopjua!