Ismet Tara, ish-komandanti i UÇK-së, i njohur me nofkën ‘Hoxha’, sot po vazhdon dëshminë në rastin e krerëve të UÇK-së në Hagë.
Përderisa ditën e djeshme ai nuk pranoi të përgjigjet pyetjeve të Prokurorisë pa iu dhënë një dokument i vitit 2019, Tara sot ka bërë të ditur se do të përgjigjet në pyetjet e avokatëve mbrojtës, por përsëriti se nuk do të përgjigjet në pyetjet e Prokurorisë, ndërsa ndërroi mendje pas konsultimit me avokatin, shkruan gazeta online Reporteri.net.
“Pyetjeve të mbrojtjes po, por të prokurores time e cila ka fshehur dokumentin jo. Ai dokument kurrë nuk është paraqitur dhe është paraqitur tash për herë të parë. Ai dokument është shumë shqetësues për mua. Unë do t’u përgjigjem pyetje të avokatëve, të gjitha”, tha ai në seancë.
Gjykatësi vendosi për pauzë, pasi kërkoi që t’i shpjegohet dëshmitarit se kur vendosë të përgjigjet në pyetjet e mbrojtjes, duhet të përgjigjet edhe ato të Prokurorisë.
Pas konsultimit me avokatët, ai tha se do të përgjigjet në pyetjet e palës mbrojtëse, por edhe të Prokurorisë në rast se bëhet fjalë për të njëjtat pyetje. Pyetjeve shtesë të Prokurorisë, Tara tha se nuk do tu përgjigjet.
“Të njëjtat pyetje që do t’i bëjë pala mbrojtëse, për të njëjtat pyetje do të përgjigjen edhe nga Prokuroria. Pyetjeve shtesë që do t’i parashtroni do t’u përgjigjem edhe atyre, por nëse del jashtë kësaj nuk do të përgjigjem”, tha Tara.
Prokurorja Vega Iodice në seancën e sotme tha se refuzimi i tij për të dëshmuar do të thotë moskryerje e të drejtës civile.
“Nuk kemi pse çojmë dëm kohën e gjykatës që t’i bëjmë pyetje pasi nuk po përgjigjet. Kjo do të thotë moskryerje e të drejtës civile”, tha ajo./Reporteri.net/