Policia e Kosovës në bashkëpunim me Prokurorinë Themelore në Prizren kanë zhvilluar një aksion kundër fajdes, ku nën pranga kanë rënë dy persona.
Kryeprokurori i Prokurorisë Themelore në Prizren, Petrit Kryeziu ka thënë për Gazetën Online Reporteri.net se krahas arrestimit të dy personave si të dyshuar, janë konfiskuar edhe para të gatshme, armë dhe dy automjete.
“Po është realizuar një operacion, dy persona janë arrestuar, si dhe janë konfiskuar dy automjete, para, armë dhe prova tjera materiale”, tha Kryeziu për Reporteri.net.
Dy të dyshuarit në vazhdimësi kishin ushtruar presion ndaj viktimës me qëllim të marrjes së interesit nga fajdja, duke e detyruar viktimën të veprojë në dëm të pasurisë të tij.
Zëdhënësi i policisë për rajonin e Prizrenit, Shaqir Bytyqi tha për Gazeton Online Reporteri.net se në bashkëpunim me Prokurorinë gjatë operacionit policor është kontrolluar shtpia e të dyshuarve.
“Sektori Rajonal i Hetimeve te DRP- Prizren pas ndërmarrjes se veprimeve hetimore në bashkëpunim me Prokurorinë Themelore në Prizren, sot me datë 25.02.2025, ka filluar realizimin e operacionit policor për arrestimin e 2 personave të dyshuar , të përfshirë në veprën penale “Fajde” nga neni 331 par 3 i KPRK-së dhe “Mbajtja në pronësi, kontroll ose posedim të paautorizuar të armëve” nga neni 366 par. 1 i KPRK-së.
Të dyshuarit në këtë rast në vazhdimësi kanë ushtruar presion ndaj viktimës me qëllim të marrjes se interesit nga veprimtaria e fajdes duke e detyruar të njëjtin të veprojë në dëm të pasurisë se tij dhe si rezultat i veprimeve te kundërligjshme të dyshuarit i kanë shkaktuar dëme materiale viktimës”, tha Bytyqi për Reporteri.net.
Ai bëri të ditur dy të dyshuarit janë ndaluar për 48 orë.
“Gjatë operacionit policor është kontrolluar shtëpia dhe objektet tjera përcjellëse të të dyshuarve, me ç ‘rast janë sekuestruar dëshmi, dy automjete dhe dy armë, që mund të kenë lidhje me rastin.
Ndaj dy të dyshuarve, pas intervistimit, me aktvendim të prokurorit nga Prokuroria Themelore në Prizren u caktohet masa e ndalimit për 48 orë”; tha zëdhënësi i policisë për rajonin e Prizrenit, Shaqir Bytyqi.
/Reporteri.net/