×
  • Lajme
  • Lajme / Lista

    Ramush Haradinaj mbetet veç me 1 votë në Gjenevë, e kalojnë Fatmir Limaj dhe kandidatët e tij

    Reporteri
    27 Shkurt 2025 | 16:58

    Në Qendrën e Numërimit dhe Rezultateve po vazhdon numërimi i votave të mërgatës që kanë votuar nëpër përfaqësitë diplomatike.

    Ekipi i Reporteri.net po e përcjell nga afër këtë proces, ku tashmë raporton se ka përfunduar numërimi në njërin nga vendvotimet në Konsullatën e Kosovës në Gjenevë.

    Sipas rezultateve, Kreu i Aleancës për Ardhmërinë, Ramush Haradinaj ka marrë vetëm një votë në këtë vendvotim, teksa Kreu i Nismës Socialdemokrate Fatmir Limaj, ka marrë tri vota. Nga tri vota i kanë marrë edhe kandidatët nga Nisma’s, Vesel Krasniqi e Arbëreshë Krasniqi, shkruan Reporteri.net.

    Time Kadriaj, Ardian Gjini, Teuta Haxhiaj, Ukë Blakaj, Daut Haradinaj, Hamdi Komoni, Arif Ahmetxhekaj, Lahi Brahimaj, Agron Kuçi, kanë marrë nga një votë, derisa kandidatët tjerë kanë zero vota.

    Numërimi i votave të mërgatës nga votimi nëpër përfaqësitë diplomatike pritet të përfundojë gjatë ditës së sotme.

    Kështu ka deklaruar për Reporteri.net zëdhënësi i Komisionit Qendror të Zgjedhjeve, Valmir Elezi.

    Ai ka thënë se pas përfundimit të numërimit të këtyre votave, do të fillojë numërimi i fletëvotimeve nga votimi përmes postës.

    “Aktualisht janë duke u numëruar votat nga votimi në përfaqësitë diplomatike, në ndërrimin e pasdites do të mbesin 11 vendvotime të cilat pritet të përfundojnë sonte. Rezultatet nga numërimi i sotëm së shpejti do të shfaqen në platformën elektronike. Pas tyre do të fillojmë me numërimin e votave të mërgatës që kanë votuar nëpërmjet postës”, ka thënë Elezi.

    Sipas të dhënave të KQZ’së janë rreth 69 mijë pako me fletëvotime nga votimi me postë, por janë aprovuar 62 mijë e 990 sosh.

    Komisioni Qendror i Zgjedhjeve ka procesuar deri tani rezultatet nga numërimi i 44.19 për qind të vendvotimeve nga përfaqësitë diplomatike.

    Sipas rezultateve të deritanishme, kur numërimi ka përfunduar në 19 kuti, nga 43 sa janë gjithsej, Lëvizja Vetëvendosje (VV) prin me 81.89 për qind të votave.

    Ajo pasohet nga Lidhja Demokratike e Kosovës (LDK)e cila ka marrë 7.21 për qind të votave dhe Partia Demokratike e Kosovës (PDK)që ka marrë 5.75 për qind.

    Aleanca për Ardhmërinë e Kosovës (AAK) ka marrë 1.54 për qind të votave e Koalicioni për Familjen 1.07 për qind.

    Numërimi i votave të diasporës, pason me numërimin e votave me kusht dhe atyre të personave me nevoja të veçanta.

    Vota me kusht janë 12 mijë e 801, ndërsa numri i votave të personave me nevoja të veçanta është 2,597./Reporteri.net

    Shpërndaje:
    Të ngjashme
    Të ngjashme

    © Reporteri (R Media L.L.C.), 2019-2025. Të gjitha të drejtat e rezervuara.

    Linku i lajmit u kopjua!