Vatikani thotë se Papa Françesku fjeti mirë gjatë natës së kaluar dhe po pushon të enjten, ndërsa vazhdon të jetë i shtruar në një spital të Romës për trajtimin e pneumonisë në të dy mushkëritë.
Të mërkurën vonë, Vatikani njoftoi për një “përmirësim të lehtë” të gjendjes së Papës 88-vjeçar. Vatikani nuk ka qartësuar nëse Papa vazhdon të konsiderohet në gjendje kritike. Selia e Shenjtë vuri në dukje se një problem me veshkat, për të cilin u njoftua disa ditë më parë, është tejkaluar.
Papa Françesku u shtrua në spitalin “Gemelli” më 14 shkurt. Qëndrimi i tij në spital është më i gjati që kur u bë Papë.
Ati i Shenjtë është i ekspozuar ndaj infeksioneve të mushkërive, pasi i është hequr një pjesë e mushkërive kur ishte i ri.
Që kur ai u sëmur, katolikët janë mbledhur në qytetin e Vatikanit, vendlindjen e tij në Argjentinë dhe vende të tjera të botës për të mbajtur vigjilje lutjesh.
Françesku u bë papë në vitin 2013 kur paraardhësi i tij, Papa Benedikti, dha dorëheqjen./voa/
Reporteri.net është gazetë online e lajmeve nga vendi dhe bota. Qëllim kryesor ka informimin e drejtë, të paanshëm dhe të shpejtë. Reporteri.net, në pronësi të “R Media L.L.C.”, është themeluar në mars të vitit 2019 dhe drejtohet nga gazetarët Bekim Kabashi dhe Mentor Gjergjaj.
E-Mail: info@reporteri.net
Marketing: marketing@reporteri.net
Adresa: Rr. UÇK, Nr. 102/11 10000 Prishtinë, Kosovë
© Reporteri (R Media L.L.C.), 2019-2025. Të gjitha të drejtat e rezervuara.