Policia e Bosnjës ka gjetur 31 fëmijë, nga disa muajsh deri në 12 vjeç, që po mbaheshin në një shtëpi private. Dyshimet janë për trafikim me qenie njerëzore. Deri tani janë arrestuar tetë të dyshuar.
Emina Halilović (74) nga Bërçko shkoi më 25 shkurt te fqinja e saj e parë, Zahide Dogo, për të cilën thotë se ka vite që drejton një çerdhe.
Në duar mbante byrek me djathë dhe supë, por nuk mundi t’ia dorëzonte dhuratën fqinjës së saj.
“Nuk munda të kaloja nga policia. U befasova,” thotë Halilović.
Ajo ende është e tronditur nga informacioni se policia ka gjetur 31 fëmijë, nga disa muajsh deri në 12 vjeç, në një shtëpi prej tullash të kuqe, pa fasadë, shkruan BBC, versioni në gjuhën serbe.
Me urdhër të prokurorisë së Distriktit të Bërçkos, në veri-lindje të Bosnjë dhe Hercegovinës, policia ka arrestuar tetë persona nën dyshimin për trafikim të fëmijëve, për të cilin parashikohet një dënim deri në 10 vjet burg, si dhe për veprën penale të neglizhencës dhe abuzimit me fëmijët.
“Më 25 shkurt 2025, oficerët e policisë gjetën 31 fëmijë dhe i vendosën ata në një vend të sigurt,” konfirmoi për BBC në serbisht zëdhënësja e policisë në Bërçko, Dževida Hukićević.
Ajo shtoi se në hetimin, të cilin e përshkroi si “kompleks”, janë përfshirë edhe agjenci të tjera policore të shtetit, si dhe Europoli.
Nuk mund të jepte më shumë detaje, pasi bëhet fjalë për fëmijë.
Fqinjët: “Nuk kemi vënë re asgjë të çuditshme”
Emina Halilović, e cila ka jetuar në Bërçko për shtatë vitet e fundit, shpesh i ka parë fëmijët te fqinja e saj, e cila i kishte thënë se ishin kryesisht fëmijë romë nga Kroacia.
“Këta fëmijë nuk ishin të mbyllur. Gjithmonë luanin jashtë”.
“Kishte edhe fëmijë të politikanëve dhe policëve tanë. Ajo (Zahida) drejtonte një çerdhe,” thotë Halilović.
Ajo shton se Zahida nuk e drejtonte e vetme çerdhen e paregjistruar dhe se fqinjët thoshin se gjithmonë kishte një grua që e ndihmonte.
“Nuk mund të vërehej asgjë e çuditshme. Fëmijët luanin aty, asnjëherë nuk kishte ndonjë të sëmurë,” shton fqinja e parë e Zahidës.
Ajo thotë se kishte parë disa prindër që vinin për të vizituar fëmijët dhe se disa prej tyre dërgonin para për kujdesin e tyre të supozuar.
Çfarë thonë autoritetet?
Se në “shtëpinë e tmerrit”, siç e kanë quajtur mediat çerdhen ilegale, mund të ndodhte diçka e dyshimtë, e zbuloi një vajzë 12-vjeçare, e cila trokiti në derën e një fqinji duke thënë se nuk dëshironte të kthehej në shtëpinë nga e cila kishte ikur.
Me të ishin edhe dy vajza më të vogla, ka konfirmuar Prokuroria, raporton Radio Evropa e Lirë.
Në deklaratën e kryeprokurorit Radmilo Ivanović thuhet se policia kishte arrestuar tre persona dy ditë më parë – dy nga Bërçko dhe një nga Banja Luka, kryeqyteti i Republikës Srpska, njëri nga dy entitetet e Bosnje dhe Hercegovinës.
Të dyshuarit akuzohen për trafikim njerëzor, trafikim të fëmijëve dhe neglizhencë apo abuzim me fëmijët.
Me urdhër të gjykatës, objekti ku qëndronin fëmijët është kontrolluar.
Prokurori Ivanović deklaroi se midis të ndaluarve janë edhe të afërm të fëmijëve, të cilët pretendojnë se janë prindërit e tyre, por nuk ka prova që këta fëmijë janë vërtet të tyre.
“Fëmijët nuk janë identifikuar, nuk kemi të dhëna për ta dhe nuk dihet kush janë prindërit e tyre. Tre personat për të cilët është kërkuar paraburgim janë nga Bosnja dhe Hercegovina.
“Një pjesë e vajzave iu nënshtruan ekzaminimeve gjinekologjike,” tha Ivanović.
Mjekët kanë ekzaminuar edhe fëmijët e tjerë.
“Është konstatuar se nuk kanë jetuar në kushte higjienike dhe kanë disa parazitë,” shtoi prokurori.
Nga vijnë fëmijët?
Fëmijët janë nga disa qytete dhe, sipas burimeve jozyrtare, mes tyre ka edhe fëmijë nga Banja Luka dhe Mostari, një qytet në Hercegovinë.
Mediat në Kroaci kanë raportuar se disa nga fëmijët kanë pasaporta kroate.
“Pesë pasaporta dyshohet se janë lëshuar në Bosnje dhe Hercegovinë, dhe këtë po e verifikojmë aktualisht,” tha Ljudevit Marić, zëdhënës i Ministrisë së Brendshme të kantonit Hercegovinë-Neretva, me seli në Mostar, për BBC.
Më shumë detaje dha ministri i Brendshëm i Kroacisë, Davor Božinović.
Ai pretendon se të dyshuarit janë pjesë e grupeve të njerëzve që kalojnë nga një shtet në tjetrin dhe që kanë shtetësi të ndryshme.
“Personat e identifikuar janë potencialisht autorë të një prej formave më të rënda të krimit të organizuar, që përfshin fëmijët të cilët mund të jenë viktima të abuzimit fizik, psikologjik dhe emocional,” tha Božinović.
Mehmed Mehmedović, kryetari i Bashkësisë Lokale Ivići në Bërçko, thotë se banorët asnjëherë nuk kishin dyshuar për asgjë.
“Askush nga banorët nuk ka raportuar kurrë asgjë,” thotë ai për BBC në serbisht.
Në Ivići nuk ekziston një çerdhe klasike, por, sipas tij, kishte dëgjuar nga banorët se Zahida kujdesej për fëmijë.
“Mbesa e motrës sime ka qëndruar te ajo grua para 10 vitesh. Nuk ishte një çerdhe klasike, por një shtëpi private.
“Nuk ishte vetëm ajo. Nuk ka mjaftueshëm vende për fëmijët, prandaj ka gra që kujdesen për ta deri në moshën e shkollës,” thotë Mehmedoviq.
“Prandaj, kjo për ne ishte një surprizë. Askush nuk dinte asgjë, as ne. Për ne nuk është normale që ajo grua të kujdesej për 31 fëmijë dhe ata të ishin mirë.
Pesë minuta nga qendra e qytetit, disa rrugë larg shtëpisë ku më 25 shkurt ndërhyri policia, jeton ‘Mirza’ – jo emri i tij i vërtetë, por identiteti i tij është i njohur për BBC.
Ai tregon se Zahida për vite të tëra ishte kujdesur për fëmijët dhe se ata ishin gjithmonë të pastër dhe të rregullt.
As ai nuk kishte dyshuar kurrë se këta fëmijë mund të ishin viktima të trafikimit të qenieve njerëzore, por kishte menduar se ishte një lloj çerdheje.
“Të gjithë jemi të tronditur,” thotë ai i shokuar.
Edhe vetë kishte qenë në atë shtëpi, por kurrë nuk kishte parë një numër kaq të madh fëmijësh sa ata që gjeti policia më 25 shkurt.
“Thuhet se ka fëmijë nga Spanja, Kroacia, Mostari, Banja Luka. Ka edhe foshnja.
“Është e tmerrshme që dikush ka lënë fëmijën e tij te një i huaj për t’u kujdesur”.
“Me çfarë logjike dikush nga Banja Luka do ta linte fëmijën e tij në Bërçko?” çuditet ‘Mirza’ teksa rikujton shtëpinë dhe fëmijët që kishte parë.
Distanca mes Banja Lukës dhe Bërçkos është rreth 200 kilometra, ndërsa nga Mostari mbi 300 kilometra.
Trafikimi i fëmijëve – “një formë e skllavërisë moderne”
Njerëzit në Bosnje dhe Hercegovinë dhe në mbarë rajonin janë të tronditur nga lajmet që vijnë nga Bërçko.
Kanë reaguar edhe shumë organizata ndërkombëtare në Bosnje dhe Hercegovinë, si dhe politikanë.
Misioni i Organizatës për Siguri dhe Bashkëpunim në Evropë (OSBE) ka bërë thirrje që autoritetet të fillojnë menjëherë një hetim të thellë dhe të ndjekin penalisht përgjegjësit.
Duke shprehur shqetësimin e tyre të thellë për ngjarjet në Bërçko, ata theksuan se trafikimi i qenieve njerëzore është një krim i rëndë dhe kompleks, i cili shpesh quhet një formë moderne e skllavërisë.
“Ky krim përfshin shkelje të rënda të të drejtave themelore të njeriut,” thuhet në deklaratën e OSBE-së.
“Ai shkakton pasoja të përhershme fizike dhe psikologjike për viktimat dhe dëmton dinjitetin dhe mirëqenien e tyre për një kohë të gjatë pas përfundimit të shfrytëzimit,” thanë për BBC përfaqësuesit e OSBE-së.
Ka reaguar edhe UNICEF-i, agjencia e OKB-së për mbrojtjen e të drejtave të fëmijëve, duke theksuar se vlerësohet se çdo viktimë e tretë e trafikimit të qenieve njerëzore është fëmijë, dhe se këto janë kryesisht fëmijë migrantë, të zhvendosur ose refugjatë.
UNICEF ka deklaruar se është “thellësisht i shqetësuar” për raportet e fundit mbi trafikimin e njerëzve në Bërçko dhe ka ofruar bashkëpunim dhe ndihmë për autoritetet.
Draško Stanivuković, kryetari i Bashkisë së Banja Lukës, ka bërë thirrje në rrjetin social Facebook “për të gjitha nivelet e qeverisjes, pa përjashtim, që të reagojnë menjëherë.”
“Hetimi duhet të jetë i plotë dhe fajtorët duhet të ndëshkohen sa më rreptësisht të jetë e mundur,” kërkoi ai.
Tregues i një problemi më të gjerë
Për aktivisten dhe juristen nga Bërçko, Ana Kotur-Erkić, nuk ka dyshim se bëhet fjalë për veprën penale të trafikimit të qenieve njerëzore.
Një rrethanë lehtësuese do të ishte nëse kjo do të klasifikohej si neglizhencë prindërore dhe abuzim ndaj fëmijëve.
“Deklarata e prindërve se i kanë lënë fëmijët në kujdesin e dikujt tjetër është, në fakt, një përpjekje naive për të shmangur klasifikimin e kësaj si vepër penale e neglizhencës dhe braktisjes prindërore,” thotë ajo.
Ky rast thekson edhe më shumë një problem tjetër: fakti që në Bërçko nuk ekziston një qendër publike për punë sociale, por vetëm një nëndegë brenda qeverisë.
“Fatkeqësisht, punonjësit socialë merren më shumë me dokumentacionin sesa me punën në terren.
“Shumica e juristëve që punojnë aty, dhe që i njoh, janë profesionistë që nuk kanë pasur ndonjë përvojë me të drejtën sociale,” thotë Kotur-Erkić.
Ajo vëren mungesa në komunikim, sidomos mes institucioneve përkatëse.
“Dikush duhej ta dinte pse një fëmijë 12-vjeçar nuk po shkonte në shkollë,” shton ajo.
Gjithashtu, ajo nuk e kupton se si askush nuk vuri re që në disa familje mungonin një ose dy fëmijë.
“Më duket se këto të dhëna thjesht mungojnë,” përfundon ajo.
Pyetja kyçe është se ku do të strehohen fëmijët
“Nëse thjesht do të zëvendësohen muret me mure të tjera, kjo absolutisht nuk është zgjidhje,” thotë Kotur-Erkić.
Si zgjidhje afatshkurtër, ajo e kupton qëndrimin e fëmijëve në hotele ose hapësira të përbashkëta, por mendon se zgjidhja afatgjatë duhet të jetë adoptimi ose sistemimi në familje kujdestare.
Ky mekanizëm i deinstitucionalizimit është përpjekur të vendoset për më shumë se 10 vjet nga të dy entitetet e Bosnjës dhe Hercegovinës.
“Komuniteti duhet të piqet, sepse flasim për një komunitet që ka buxhetin më të madh në vend, që ka më shumë kapacitete për zhvillim, por sillet sikur sapo ka dalë nga epoka feudale,” thotë Kotur-Erkić.
Në sistemin e ndërlikuar politik të Bosnjës dhe Hercegovinës, e cila pas luftës është ndarë në dy entitete – Republikën Srpska dhe Federatën e Bosnjës dhe Hercegovinës – Distrikti i Bërçkos ka një status të veçantë.
Për këtë arsye, ky qytet ka edhe buxhetin më të madh krahasuar me të gjitha qytetet e tjera në vend, pasi ka kompetenca të ngjashme me kantonet – njësitë administrative në të cilat është ndarë Federata e Bosnjës dhe Hercegovinës.
Megjithatë, mes institucioneve dhe niveleve të ndryshme të pushtetit, Bosnja dhe Hercegovina nuk ka një mekanizëm institucional për strehimin e viktimave të trafikimit të qenieve njerëzore, pasi i vetmi strehim i tillë u mbyll në fund të vitit 2023 për shkak të mungesës së financimit.
Deri në krijimin e një zgjidhjeje të re, viktimat e trafikimit të qenieve njerëzore strehohen në shtëpi të sigurta, të cilat janë të destinuara për viktimat e dhunës në familje.
“Nuk vë në dyshim aftësitëe personelit në shtëpitë e sigurta, por nuk është e përshtatshme që viktima të veprave të ndryshme penale të vendosen në të njëjtat kushte dhe mjedis, pasi secili rast kërkon metoda të ndryshme pune dhe zgjidhje të veçanta,” thekson Kotur-Erkić.
Për të, mbetet problematike që askush nga fqinjët nuk e ka raportuar rastin në polici.
“Është e pamundur që nuk kanë dëgjuar zërat e fëmijëve, të qeshurat apo të qarat e tyre,” thotë ajo me dyshim.
Ajo është e bindur se, po të kishin dëgjuar muzikë të lartë, fqinjët do të kishin telefonuar policinë.
“Në këtë rast, ata zgjodhën të heshtin,” e kritikon ajo qëndrimin e komunitetit.