×
  • Lajme
  • Lajme

    Varroset Alban Bujari, fotoreporteri që dokumentoi tmerret e luftës përmes fotografive

    Reporteri
    28 Shkurt 2025 | 16:05

    Në varrezat e Kryeqytetit në Arbëri, është varrosur fotoreporteri Alban Bujari, i cili vdiq sot, shkruan Reporteri.net.

    Në ceremoni kanë marrë pjesë familjarë, miq, kolegë dhe personalitete të ndryshme.

    Bujari ishte një ndër emrat më të shquar të fotoreportazhit në Kosovë, i cili e dokumentoi luftën e viteve 1997-1999.

    Përkushtimi dhe guximi i tij në dokumentimin që nga mediat vendore e deri tek ato më prestigjioze ndërkombëtare si  Agjencia Evropiane e Shtypit (EPA), “The Guardian”, “El Pais”, “The Independent”, “Zeitung” e të tjera, u bënë dëshmi për botën mbi realitetin e luftës dhe krizës humanitare në Kosovë.

    Bujari ekspozoi shumë fotografi nga masakrat në burgun e Dubravës, Reçak, Prekaz, Krushë e vise tjera, foto këto që tregojnë krimet e masakrat të cilët serbët i kryen ndaj shqiptarëve.

    Këtë ekspozitë ai e pati quajtur “Rrugëtimi drejt lirisë”.I ndjeri po ashtu kishte ekspozitë edhe nga koha e pandemisë, të cilën e quajti “COVID-19”, për t’i treguar qytetarëve atë çka humbën e s’e panë shkaku i izolimit.

    Presidentja Vjosa Osmani ka thënë se Bujari dokumentoi të vërtetën e Kosovës në vitet më të vështira, duke lënë një arkiv të jashtëzakonshëm kujtese dhe historie.

    “Nga momentet e para të luftës së UÇK-së, ai rrezikoi jetën e tij për t`ia treguar botës imazhet që dëshmuan luftën, sakrificën dhe vuajtjen e popullit tonë.  Përmes fotografive të tij, masakrat në Prekaz, Reçak dhe Rogovë nuk mbetën vetëm plagë të kujtesës sonë, por u bënë dëshmi e krimeve ndaj Kosovës para syve të botës. Me profesionalizëm dhe guxim të rrallë, ai e bëri historinë të pavdekshme përmes imazhit, duke na lënë një trashëgimi të çmuar për brezat që do të vijnë”, thuhet në telegram.

    Shpërndaje:
    Të ngjashme
    Të ngjashme

    © Reporteri (R Media L.L.C.), 2019-2025. Të gjitha të drejtat e rezervuara.

    Linku i lajmit u kopjua!