Presidenti ukrainas, Volodymyr Zelensky ka mbërritur në Shtëpinë e Bardhë.
Bëhet e ditur se ai është pritur nga homologu i tij amerikan, Donald Trump.
Dy liderët kanë shtrënguar duart dhe kanë pozuar për disa foto para shtypit, shkruan skynews.
Dy liderët pritet të nënshkruajnë gjithashtu marrëveshjen, që do t’i jepte SHBA-së akses në mineralet e rralla të Ukrainës.
Marrëveshja për mineralet, e negociuar përgjatë ditëve të fundit, do t’i jepte Shteteve të Bashkuara qasje të kosniderueshme tek mineralet e rralla të nëntokës ukrainase, por nuk përfshin dhënien e garancive të sigurisë nga ana e Shteteve të Bashkuara, një zhgënjim për Ukrainën.
Marrëveshja i jep Uashingtonit mundësinë që të kompensojë një pjesë nga miliarda dollarët që ka shpezuar për mbështetjen e Kievit me armatime amerikane, përmes një fondi investimi për rindërtim të lidhur me shitjen e mineraleve të rralla të Ukrainës.
Sipas një raporti të vitit të shkuar të Qendrës për Studime Strategjike dhe Ndërkombëtare, rreth 2/ 3 e fondeve të miratuara nga Kongresi për Ukrainën, janë shpenzuar në Shtetet e Bashkuara.
Ukraina shpreson që marrëveshja do të nxisë Presidentin Trump të mbështesë përpjekjet e Kievit për të rimarrë territoret që aktualisht kontrollohen nga Rusia.
Marrëveshja po ashtu mund të siguronte mbështetje nga Republikanët në Kongres për një raund të ri ndihme për vendin e goditur nga lufta.
Presidenti Trump është përplasur në distancë me homologun Zelenskyy gjatë javëve të fundit, duke e kritikuar atë për mënyrën se si e ka menaxhuar luftën, duke e cilësuar atë si një diktator dhe duke i bërë thirrje që të pranojë marrëveshjen për mineralet.