Presidenti ukrainas Volodymyr Zelensky u prit nga Donald Trump në Shtëpinë e Bardhë në Washington. Por, takimi mes tyre nuk ka shkuar mirë, pasi janë përplasur ashpër për mendimet e ndryshme sa i takon luftës në Ukrainë.
Trump ka lajmëruar përmes rrjeteve sociale se presidenti Volodymyr Zelensky është larguar nga Shtëpia e Bardhë, pas debatit me tone të larta me styre në Zyrën Ovale.
Përmes një postimi në rrjetin e tij social ‘Truth Social’, Trump shprehet se Zelensky nuk i respektoi Shtetet e Bashkuara të Amerikës në Zyrën e tyre Ovale dhe se ai mund të kthehet kur të jetë gati për paqe.
“Ne patëm një takim shumë domethënës sot në Shtëpinë e Bardhë. U mësua shumë që nuk mund të kuptohej kurrë pa biseda nën një zjarr dhe presion të tillë. Është e mahnitshme ajo që del përmes emocioneve dhe unë kam vendosur që presidenti Zelensky nuk është gati për paqe nëse përfshihet Amerika, sepse ai mendon se përfshirja jonë i jep atij një avantazh të madh në negociata. Unë nuk dua përparësi, dua PAQE. Ai nuk i respektoi Shtetet e Bashkuara të Amerikës në Zyrën e tyre të dashur Ovale. Ai mund të kthehet kur të jetë gati për paqe”, shkruan Trump.
Me largimin e liderit ukrainas, marrëveshja mes Uashingtonit dhe Kievit për mineralet e rralla ukrainase mbetet e paarritur, pasi në këtë takim pritej firmosja e saj nga dy palët.