Një operacion i madh antidrogë është zhvilluar në Greqi. Mediat greke raportojnë se dy gomone me drogë tentuan të futeshin në Turqi, ndërsa në pranga u vunë dy shqiptarë dhe një italian. Por policia e shtetit në një reagim thotë se në gomone nuk është gjetur lëndë narkotike.
Dy shtetas shqiptarë dhe një italian janë arrestuar nga autoritetet greke, pasi tentuan të trafikonin drogë me gomone drejt Turqisë.
Sipas mediave greke janë pikasur dy gomone, ku njëra është bllokuar, ndërsa vazhdojnë kërkimet për gomonen tjetër.
Po sipas mediave, gomonet dyshohet se ishin nisur nga Shqipëria dhe nëpërmjet Greqisë tentuan të futeshin në ujërat turke. Por Policia shqiptare mohon një gjë të tillë, duke theksuar se në bordin e gomones nuk u gjet drogë.
Snajperistet nga helikopteri kanë qëlluar disa herë në drejtim të gomones, por fatmirësisht nuk ka persona të lënduar.
Pas ndjekjes mësohet se njëra prej gomoneve është rikthyer në ujërat greke dhe po tenton kthimin e saj në Shqipëri.
Policia e Shtetit: Gomonet nuk vinin nga Shqipëria
Ndërkohë policia e shtetit në një reagim për mediat sqaron se nga komunikimi paraprak me homologët grekë, lajmi i dhënë në media është tërësisht i pavërtetë.
“Operacioni zhvillohet në kufirin mes Turqisë dhe Greqisë dhe jo në kufirin mes Greqisë dhe Shqipërisë dhe nga komunikimi i deritanishëm dhe shkëmbimi i informacionit nuk ka asnjë të dhënë që mjetet lundruese të jenë nisur nga Shqipëria”, thuhet në njoftimin e policisë.
Policia Greke gjatë operacionit ka kapur një prej mjeteve lundruese, brenda të cilit nuk është gjetur lëndë narkotike dhe ka ndaluar dy shtetas shqiptarë dhe një shtetas italian që ndodheshin në bordin e skafit.
Policia e Shtetit vijon shkëmbimin e informacionit me homologët për dy shtetasit shqiptarë dhe është në ndjekje të operacionit nga homologët grekë.