×
  • Lajme
  • Botë / LAJMI I FUNDIT

    Trump pezullon ndihmën ushtarake për Ukrainën pas përplasjes të së premtes me Zelenskyn

    Reporteri
    04 Mars 2025 | 2:27

    Presidenti i ShBA’së, Donald Trump, ka urdhëruar që ndihma ushtarake për Ukrainën të pezullohet pas debatit të tij të së premtes në Zyrën Ovale me presidentin ukrainas Volodymyr Zelensky, ka deklauar një zyrtar i Shtëpisë së Bardhë për CNN të hënën, përcjell Reporteri.net.

    “Presidenti ka qenë i qartë se ai është i fokusuar në paqe. Ne kemi nevojë që edhe partnerët tanë të jenë të përkushtuar ndaj këtij qëllimi. Ne po ndalojmë dhe rishikojmë ndihmën tonë për t’u siguruar që ajo po kontribuon në një zgjidhje”, ka deklaruar zyrtari i Shtëpisë së Bardhë.

    Një zyrtar tjetër tha se pauza do të zbatohet për të gjitha pajisjet ushtarake që nuk janë ende brenda Ukrainës.

    Pezullimi është një përgjigje e drejtpërdrejtë ndaj asaj që Trump e sheh si sjellje të keqe të Zelenskyt, në takimin e javës së kaluar, tha zyrtari. Ata lanë të nënkuptohet se ky pezullim mund të hiqet nëse Zelensky tregon përkushtim të ri ndaj negociatave për t’i dhënë fund luftës në Ukrainë.

    Ndryshe, Trump kritikoi sërish të hënën Zelenskyn. Ai ka sugjeruar se durimit të tij ndaj Zelenskyt është duke i ardhur fundi, teksa e ka kritikuar rezistencën e presidentit ukrainas ndaj idesë për armëpushim të shpejtë në luftën e Rusisë kundër Ukrainës, pa pasur garanci konkrete të sigurisë, siç ka kërkuar ai nga SHBA-ja.

    “Kjo është deklarata më e keqe që do të mund të bëhej nga Zelensky, dhe Amerika nuk do të durojë gjatë”, ka shkruar Trump në platformën e tij Truth Social, duke vendosur aty edhe një link që të çon te një artikull i të përditshmes amerikane, Associated Press në të cilin citohet Zelensky duke thënë se përfundimi i luftës në vendin e tij është “shumë, shumë larg”./Reporteri.net

    Shpërndaje:
    Të ngjashme
    Të ngjashme

    © Reporteri (R Media L.L.C.), 2019-2025. Të gjitha të drejtat e rezervuara.

    Linku i lajmit u kopjua!