Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti me urdhër të Gjykatës Themelore të Prishtinës gjatë ditës së sotme duhet të paraqitet në Prokurorinë Speciale për intervistim. Nuk dihet nëse Kurti do t’i përgjigjet kësaj thirrje.
Në bazë të një njoftimi të Ministrisë së Arsimit, Kurti në ora 10:00, kur dhe i duhet të paraqitet në Prokurorinë Speciale si dëshmitar, me urdhër të Themelores, po në atë kohë ai do të jetë në Gjilan bashkë me Ministren Arbërie Nagavci për vendosjen e gurthemelit të një çerdheje të re atje.
“Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, ministrja e Arsimit, Shkencës, Teknologjisë dhe Inovacionit, Arbërie Nagavci dhe kryetari i Komunës së Gjilanit, Alban Hyseni do të vendosin gurëthemelin e çerdhes së re në Gjilan. Vendosja e gurëthemelit bëhet nesër, më 04 mars 2025, në ora 10:00, në agjen “Livadhet e Arapit” në Gjilan”, thuhet në njoftimin e MAShT-it.
Ekipi i gazetës online Reporteri.net po qëndron në Gjilan dhe ju sjell pamje nga vendi ku pritet të vendoset gurthemeli i një çerdheje të re, e ku sipas njoftimit pritet të jetë prezent edhe Kurti.