×
  • Lajme
  • Lajme / E fundit

    Kurti shpërfill gjykatën, paraqitet në “Livadhet e Arapit” – nuk shkon për intervistim në Prokurorinë Speciale

    Reporteri
    04 Mars 2025 | 10:27

    Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti do të duhej të paraqitej në Prokurorinë Speciale për të dëshmuar mbi çështjen e rezervave shtetërore në orën 10:00, ku  me urdhër të Gjykatës Themelore të Prishtinës është ftuar të paraqitet për intervistim. 

    Mirëpo Kurti ka zgjedhur që sërish të mos i përgjigjet kësaj ftese. Ai është paraqitur në Gjilan, ku siç u paralajmërua edhe dje po merr pjesë në vendosjen e gurthemelit të një çerdheje në lagjen “Livadhet e Arapit”, në Gjilan.

    Kurti atje është parë i shoqëruar nga Ministrja e Arsimit, Arbërie Nagavci dhe kryetari i Gjilanit, Alban Hyseni.

    Gazeta online Reporteri.net ka siguruar pamje nga atje.

    ]

    Të premten e 28 shkurtit, zëdhënësja e Gjykatës Themelore në Prishtinë, Mirlinda Gashi konfirmoi për Gazetën Online Reporteri.net se Kryeministri Kurti do të intervistohet në cilësinë e dëshmitarit, lidhur me skandalin e Rezervës Shtetërore më 4 mars.

    “Ju njoftojmë se Gjykata Themelore në Prishtinë – Departamenti Special, me kërkesë të Prokurorisë Speciale të Republikës së Kosovës, me Urdhër të gjykatës të datës 21.02.2025 ka obliguar dëshmitarin A.K. që të paraqitet në cilësi të dëshmitarit, për të dhënë dëshminë e tij me datë 04.03.2025 në ora 10:00, në Prokurorinë Speciale të Republikës së Kosovës”, ka thënë Gashi për Reporteri.net.

    Në anën tjetër, Zyra e Kryeministrit, ka kërkuar nga Gjykata që të obligojë Prokurorinë Speciale të marrë dëshminë e kërkuar, brenda Zyrës së Kryeministrit, duke thënë se duhet të merret parasysh “agjenda e tij është e ngjeshur”.

    Zëdhënësi i qeverisë, Përparim Kryeziu në përgjigjen e publikuar në Facebook javën e kaluar, thuhet se “Kurti ka qenë dhe mbetet i gatshëm të japë dëshminë e tij”. ZKM tutje ka thënë se ka dyshime të forta se kjo thirrje ka motiv politik, e jo ligjor.

    Qeveria e Kosovës pranoi ftesën e Prokurorisë Speciale të Republikës së Kosovës për intervistim të Kurtit më 12 dhjetor. Kryeziu e cilësoi si tentim ndikimi në rezultatin e zgjedhjeve 2025.

    Në thirrjen e Prokurorisë Speciale thuhej se Kryeministri Kurti duhet të paraqitet për intervistim të hënën e 16 dhjetorit në ora 09:30. Mirëpo, ai nuk u paraqit për intervistim. Madje ka kërkuar nga Prokuroria që ta intervistojë në zyrën e tij, e kishte ofruar edhe dy data për këtë.

    Kurti, i ftuar në cilësinë e dëshmitarit, do të intervisohet për skandalin me Rezervat Shtetërore dhe se vepra penale për të cilën është ftuar hynë tek ato të korrupsionit zyrtar, saktësisht Neni 414 “Keqpërdorim i pozitës apo autoritetit zyrtar”.

    /Reporteri.net/

     

    Shpërndaje:
    Të ngjashme
    Të ngjashme

    © Reporteri (R Media L.L.C.), 2019-2025. Të gjitha të drejtat e rezervuara.

    Linku i lajmit u kopjua!