Deputeti i Lidhjes Demokratike të Kosovës, Avdullah Hoti, ka thënë se refuzimi i Kryeministrit Albin Kurti për t’u paraqitur në prokurori për intervistim është “përdhosje e shtetit dhe institucioneve të Kosovës”, shkruan Reporteri.net.
Sipas Hotit, me këto sjellje Kurti po i vë njollë rendit kushtetues dhe demokracise në Kosovë, e cila merret si shembull në rajon dhe më gjerë.
“Sot, Kosova ka qenë në titujt e mediave ndërkombëtare për këtë sjellje të Kurtit. Por ky nuk e ka për herë të parë që i vë njolla shtetit të Kosovës. Njësoj ka ndodhur edhe kur gjuante gaz në Kuvend, apo kur protestonte disa ditë para shpalljes së pavarësisë. Barazia para ligjit është fundamenti i demokracisë. Nuk ka rrugë tjetër, nuk ka shpëtim askush nga drejtësia. Është vetëm çështje kohe”, ka shkruar Hoti.
Kryeministri Kurti para mediave ka insistuar që të intervistohet në zyrën e tij, në Kryeministri. Kurti tha se jo vetëm që ka qenë i gatshëm por edhe i interesuar të dëshmojë, ndërsa përmendi edhe oraret që i pati caktuar Prokurorisë kur mund të shkonin në zyrën e tij për ta intervistuar.
Ai tha se edhe në të kaluarën ka ndodhur kur prokurorët apo hetuesit kanë shkuar në zyre të kryeministrave për t’i intervistuar.
“Së pari unë asnjëherë nuk kam thënë që nuk do të jap dëshmi apo se refuzoj të japë dëshmi, përkundrazi kam thënë jo vetëm i gatshëm, por edhe i interesuar që të dëshmojë. Në anën tjetër kam shkruar letrën në të cilën kam treguar edhe oraret se kur mund të bëhet dëshmia. Unë i mirëpres Prokurorinë në zyren e Kryeministrit, ka pasur raste edhe në të kaluarën, kur prokurorët dhe hetuesit kanë ardhur për kryeministra, jo vetëm si dëshmitarë por edhe si të pandehur. Prandaj nuk ka arsye që kjo të mos vazhdohet. pra, qysh në muajin dhjetor ka qenë e mundur që të kryhet ky intervistim, dhe të jepet dëshmia nga ana ime”, tha Kryeministri para gazetarëve.
“250 euro gjobë, 30 ditë burgim” – Çka e pret Kurtin nëse nuk paraqitet në Prokurorinë Speciale?