Para vizitës së paralajmëruar të Shefit të NATO’s, Mark Rutte, në Kosovë, Presidentja Vjosa Osmani ka thënë se stabiliteti në Kosovë është faktor kyç për sigurinë e të gjithë rajonit, ndaj angazhimi i përbashkët me KFOR-in dhe NATO-n mbetet thelbësor, shkruan Reporteri.net.
Këtë deklaratë Osmani e ka bërë në takimin që ka pasur sot me Komandantin e KFOR-it, Gjeneralmajor Enrico Barduani.
“Presidentja Osmani poashtu theksoi se kontinenti ynë po përballet me një situatë të ndërlikuar gjeopolitike, e cila kërkon bashkëpunim të ngushtë dhe koordinim të përhershëm me aleatët tanë. Në takim u diskutua gjithashtu për koordinimin e aktiviteteve në prag të vizitës së paralajmëruar të Sekretarit të Përgjithshëm të NATO-s, Mark Rutte në Kosovë, duke theksuar rëndësinë e kësaj vizite si dhe rëndësinë e rolit të NATO-s për paqe e siguri në vendin tonë”, thuhet në njoftimin e lëshuar nga Presidenca.
Sipas raportimit të REL, Rutte do ta vizitojë Kosovën më 11 mars. Gjatë vizitës në Kosovë pritet që Rutte të jetë i shoqëruar edhe nga ambasadorët e vendeve anëtare të NATO-s që janë anëtarë të Këshillit të Atlantikut të Veriut.
NATO-ja ende nuk e ka paralajmëruar zyrtarisht një vizitë të tillë.
Vetë Rutte kishte paralajmëruar se do ta vizitonte Kosovën gjatë muajit mars në një debat që kishte pasur më herët në Bratisllavë të Sllovakisë./Reporteri.net
Presidenca konfirmon se Shefi i NATO’s do ta vizitojë Kosovën