Nga Ambasada gjermane në Kosovë i kanë reaguar një komentuese serbe në rrjete sociale, e cila mes tjerash ka shkruar “Kosova është Serbi”, shkruan Gazeta Online Reporteri.net.
Në një postim të Ambasadës në Facebook, ku kanë shpërndarë një intervistë të emisarit gjerman, Manuel Sarrazin, komenti i një komentuese ka bërë që të ketë edhe një reagim nga ana e Ambasadës.
“Ndoshta është koha që Gjermania të fillojë të respektojë ligjin ndërkombëtar dhe Rezolutën 1244, të miratuar nga OKB. Kosova është pjesë e Serbisë”, ka qenë komenti i një serbe në linkun e shpërndarë të Ambasadës Gjermane.
Kjo e fundit ia ka bërë të qartë komentueses serbe se pavarësia e Kosovës tashmë është fakt.
“Pavarësia e Kosovës është realitet dhe fakt. Gjermania e ka njohur Kosovën si shtet i pavarur qysh në vitin 2008, menjëherë pas shpalljes së pavarësisë. Kjo njohje ndahet nga shumica e shteteve anëtare të Bashkimit Evropian dhe shumë vende të tjera në mbarë botën. Gjermania mbetet e përkushtuar për të mbështetur sovranitetin e Kosovës dhe integrimin e saj në strukturat evropiane dhe ndërkombëtare”, thuhet në reagimin e Ambasadës gjermane në Kosovë.
/Reporteri.net/