Thirrjet për formimin sa më të shpejt të institucioneve qeverisëse në Kosovë, janë shtuar pas përfundimit të numërimit të votave. Pas thirrjes së ambasadorit britanik tri ditë më parë, edhe Ambasada e Gjermanisë në Kosovë ka përsëritur sot që partitë politike duhet të formojnë me shpejtësi një qeveri stabile. Gjermania ka marrë shembullin e saj, për hapat e shpejtë drejt ndërtimit të koalicionit, shkruan Reporteri.net.
24 ditë i janë dashur Komisionit Qendror të Zgjedhjeve për të përfunduar numërimin e votave nga zgjedhjet e 9 shkurtit. Votat e fundit, që kanë qenë ato me kusht dhe të personave me nevoja të veçanta, kanë përfunduar së numëruari dje.
Sipas Nenit 105 të Ligjit për Zgjedhjet e Përgjithshme, KQZ është e obliguar që të presë të paktën 48 orë para se të shpall rezultatet përfundimtare të Zgjedhjeve për Kuvendin e Kosovës, që i bie deri nesër në orën 21:00.
“Ky nen, parasheh mundësinë që në PZAP, në një afat brenda 48 orëve nga ndodhja e shkeljes së supozuar, të paraqiten ankesat për administrimin e numërimit që është zhvilluar në Qendrën e Numërimit dhe Rezultateve”, ka sqaruar mbrëmë zëdhënësi i KQZ’së, Valmir Elezi.
Certifikimi i rezultateve pritet të bëhet jo më larg se 18 marsi, për t’i hapur rrugë kështu krijimit të institucioneve.
Nga rezultatet preliminare, Vetëvendosje është e para, pasuar nga Partia Demokratike e Kosovës, Lidhja Demokratike e Kosovës dhe Aleanca për Ardhmërinë e Kosovës.
Sipas votave që kanë marrë partitë, VV do t’i ketë 48 ulëse, PDK’ja 24 ulëse, LDK’ja 20 ulëse dhe AAK’ja 8 ulëse. Rrjedhimisht, asnjëra parti nuk i ka votat e nevojshme për të qeverisur e vetme. Për të pasur shumicën, nevojiten së paku 61 deputetë. Një koalicion është i domosdoshëm.
Përveç liderit të Nismës Socialdemokrate, Fatmir Limajt, partitë tjera kanë përjashtuar mundësinë e koalicionit me partinë e Albin Kurtit.
Vetë Kurti, në vënien e gurthemelit të një çerdhje në Gjilan para dy ditësh, tha se VV është fituese e zgjedhjeve dhe se kjo parti duhet ta bëjë qeverinë e re.
I pyetur nëse do të ketë një koalicion me partinë e Limajt, Kurti tha se s’ka qëndrime të tjera lidhur me opozitën.
“Së pari ne presim certifikimin e rezultateve dhe më pastaj do të shikojmë për rrugën përpara. S’ka ndryshuar situata që të kemi qëndrime të tjera sa i përket kundërshtarëve tanë. Është bërë luftë hibride kundër qeverisë tonë por kemi dalë fitimitar, dhe fitimtari duhet dhe do ta formojë qeverinë”, ka deklaruar Kurti para gazetarëve.
Deri tani ende nuk ka deklarata zyrtare për ndonjë diskutim për koalicion mes partive, ndërkohë që thirrjet për krijimin e institucioneve të reja po shtohen.
Ambasada e Gjermanisë në Kosovë, teksa ka shpërndarë një intervistë të Emisarit të saj për Ballkanin Perëndimor, Manuel Sarrazin, ka shkruar se është thelbësore që partitë të formojnë sa më shpejtë qeverinë.
Ambasada ka marrë shembull hapat e shpejtë drejt ndërtimit të koalicionit pas zgjedhjeve në Gjermani, ku doli fitues Unioni CDU/CSU, teksa Friedrich Merz pritet të jetë kancelari i ardhshëm. Zgjedhjet në Gjermani janë mbajtur më 23 shkurt, teksa bisedimet për koalicion kanë filluar më 28 shkurt.
“Në këto kohë të pasigurta, është thelbësore që partitë politike të Kosovës të tregojnë përgjegjësi dhe të formojnë me shpejtësi një qeveri stabile. Hapat e shpejtë të Gjermanisë drejt ndërtimit të koalicionit pas zgjedhjeve tregojnë rëndësinë e prioritizimit të së ardhmes së kombit”, thuhet në postimin e ambasadës.
“Është koha për partitë kosovare që ta vendosin shtetin së pari dhe të punojnë bashkë”, thekson ambasada.
Edhe Sarrazin në intervistën që ka dhënë ka theksuar dëshirën që të krijohet sa më parë qeveria e re e Kosovës dhe që të angazhohet në mënyrë aktive në dialog.
“Por nuk jemi ne që vendosim, se si do të krijohet qeveria në Republikën e Kosovës. Ky është një vendim që e merr Kosova”, ka shtuar ai.
Edhe Ambasadori i Britanisë së Madhe në Kosovë, Jonathan Hargreaves, ka theksuar nevojën urgjente për krijimin e një qeverie të re dhe stabile.
“…janë kohë të vështira gjithandej Evropës dhe nuk është koha për një vend si që Kosova të jetë pa qeveri me një mandat stabil ose me një parlament i cili nuk është në gjendje të miratojë legjislacionin në mënyrë efektive”, ka deklaruar Hargreaves në një intervistë për RTV Dukagjini, para tri ditësh.
Ai ka thënë se shpreson që qeveria të konstituohet në një mënyrë i jep Kosovës një stabilitet për një kohë të mirë që të mund të angazhohet në sfidat ndërkombëtare me shumë sfida vendore, që janë shumë urgjente.
Kuvendi dhe Qeveria e re
Kuvendi duhet të konstituohet pasi të jenë certifikuar rezultatet përfundimtare të zgjedhjeve. Pika 1 e nenit 66 të Kushtetutës thotë se Kuvendi zgjidhet në seancën konsistuive e cila “mbahet brenda tridhjetë (30) ditësh nga dita e shpalljes zyrtare të rezultateve të zgjedhjeve”.
Presidentja Vjosa Osmani “e thërret seancën e parë të Kuvendit”, sipas pikës 3 të të njëjtit nen. Nëse ajo nuk është në gjendje ta bëjë këtë, “Kuvendi mblidhet pa pjesëmarrjen e Presidentit”, thotë Kushtetuta.
Seanca e parë udhëhiqet nga deputeti më i vjetër dhe ai më i riu në sallën e Kuvendit.
Kryetarin e Kuvendit e propozon grupi më i madh parlamentar, siç përcaktohet në nenin 67. Ai zgjidhet me shumicë të votave të të gjithë deputetëve (61 nga 120).
Deputetët duhet t’i zgjedhin edhe 5 nënkryetarë të Kuvendit, 3 prej të cilëve propozohen nga tri grupet më të mëdha parlamentare, kurse dy nga komunitetet joshumicë.
Ndërsa legjislatura e re e Kuvendit detyrë të radhës ka zgjedhjen e Qeverisë, presidentja i fton partitë politike parlamentare për konsultime.
Ajo më pas, siç parasheh pika e parë e nenit 95 të Kushtetutës, “i propozon Kuvendit kandidatin për Kryeministër, në konsultim me partinë politike ose koalicionin që ka fituar shumicën e nevojshme në Kuvend për të formuar Qeverinë”.
Kandidati i caktuar për formimin e qeverisë më pas duhet ta paraqesë përbërjen e Qeverisë para deputetëve “jo më vonë se pesëmbëdhjetë (15) ditë”, pasi të jetë mandatuar, thotë pika e dytë.
Sikurse edhe kryetari i Kuvendit dhe nënkryetarët, Qeveria zgjidhet me shumicën e votave të të gjithë deputetëve (61 nga 120).
Nëse përbërja e propozuar e Qeverisë nuk e merr shumicën e votave të nevojshme, presidentja “brenda dhjetë (10) ditësh emëron kandidatin tjetër sipas së njëjtës procedurë”, parasheh Kushtetuta.
Nëse as herën e dytë nuk zgjidhet Qeveria, atëherë presidentja “i shpall zgjedhjet, të cilat duhet të mbahen jo më vonë se dyzet (40) ditë nga dita e shpalljes së tyre”, thotë pika 4 e nenit 95 të Kushtetutës./Reporteri.net/