Kandidati për deputet nga Lidhja Demokratike e Kosovës, Xhefer Tahiri, ka hedhur poshtë pretendimet se ka manipuluar me vota, duke i quajtur ato të pavërteta.
Ai ka mirëpritur hetimin e prokurorisë dhe ka theksuar se nuk ka asnjë lidhje me situatën, duke shprehur besimin se drejtësia do të triumfojë.
“Drejtësia do të triumfoj. Lidhur me procesin e numërimit në QKN, kemi shprehur vërejtjet tona me kohë. E mirëpres hetimin e prokurorisë. Lidhur me lajmet që përmendin emrin tim, unë e përsërisë, nuk kam të bëjë me to dhe nuk ka asgjë të vertetë në to. Këtë do ta vërtetoj drejtësia me kohë. Sipas ligjit të KQZ, në cdo tavolinë numërimi kanë qenë 4-5 komisioner të KQZ e vëzhgues të çdo partie politike. Krejt komisionerët bashkë sipas rregullave të KQZ i kanë nënshkruar formularët e numërimit të votave. E krejt procesi ka qenë në vëzhgim të kamerave. Pra durim, e vërteta gjithmonë triumfon.”, ka shkruar ai në Facebook.
Ai ka thënë se ‘sulmeve politike dhe akuzave të pa bazë nuk i përgjigjem, kemi punë për rikthimin e LDK.”
Ndryshe, kandidatja për deputete e LDK-së, Rrezarta Krasniqi ka lajmëruar në Prokurorinë Themelore të Mitrovicës raste të manipulimit të votave në disa Qendra Votimi në komunën e Vushtrrisë.
Kandidatja e LDK-së, bashkë me disa komisionerë kishin paraqitur pranë Prokurorisë një mesazh që kishin pranuar “Le të bashkohen komisionarët për ndihmë të Xhafer Tahirit”.
Madje, Krasniqi ka deklaruar se në shkollën “Ali Kelmendi” në Vushtrri dyshohet për manipulim të votave, pasi në këtë shkollë, LDK ka marrë 55 vota në total, dhe se Xhafer Tahiri kishte marrë 54 vota, ndërsa kandidati për kryeministër kishte marrë 52 vota.
Duke pasur parasysh të gjitha këto pretendime, Prokuroria Themelore e Mitrovicës konfirmoi për Gazetën Online Reporteri.net, se ka obliguar PZAP-në për rinumërimin e votave të LDK-së në këtë komunë.
“Konfirmoj që do të bëhet rinumërimi, dhe varësisht nga rezultatet do të veprohet”, tha zëdhënësi i kësaj prokurorie, Valon Preteni.