×
  • Lajme
  • Botë

    ShBA thekson angazhimin për lirimin e amerikanëve të ndaluar jashtë vendit

    Reporteri
    07 Mars 2025 | 14:19

    Departamenti Amerikan i Shtetit mbajti një ceremoni të ngritjes së flamurit të enjten për pengjet dhe të burgosurit që mbahen padrejtësisht në shtetet e tjera. Ceremonia riafirmon angazhimin e Uashingtonit për të siguruar kthimin e qytetarëve amerikanë dhe banorëve të përhershëm të ligjshëm të ndaluar jashtë vendit.

    “Politikat tona janë 100% të përqendruara në kthimin e tyre në vend”, tha Adam Boehler, i dërguari special i Presidentit Donald Trump për pengjet. “Gjatë ditëve në vazhdim do të ketë zhvillime”, tha ai pa dhënë detaje.

    “Presidenti Trump është i përkushtuar për lirimin e të gjithë amerikanëve të mbajtur peng ose të ndaluar padrejtësisht jashtë shtetit. Këtu përfshihen amerikanët dhe të gjitha pengjet e tjera që ende mbahen nga Hamasi në Gazë”, tha për Zërin e Amerikës një zëdhënës i Departamentit të Shtetit.

    “Përpjekjet për t’i sjellë ata në shtëpi janë të vazhdueshme dhe të ndjeshme. Për momentin nuk kemi ndonjë njoftim për takime”, tha zëdhënësi.

    Më 9 mars bëhen 18 vjet që kur ish-agjenti i FBI-së Robert Levinson u rrëmbye në Iran. Me këtë rast, me mbështetje dypartiake, Kongresi caktoi në mënyrë simbolike ‘Flamurin e Pengjeve dhe të Burgosurve Padrejtësisht’.

    Drejtori i FBI-së, Kash Patel, tha të enjten se Uashingtoni është i vendosur që t’i çojë deri në fund përpjekjet për lirimin e pengjeve dhe të burgosurve padrejtësisht, si dhe të riatdhesojë eshtrat e atyre që nuk ka qenë e mundur të sillen në vend, përmes përpjekjeve diplomatike dhe të zbulimit.

    Një ditë më parë, Presidenti Trump priti në Shtëpinë e Bardhë tetë ish-pengje të mbajtura nga grupi terrorist Hamas. Të mërkurën, Shtëpia e Bardhë konfirmoi se zyrtarët amerikanë janë angazhuar në diskutime të vazhdueshme me Hamasin. Bisedimet e mbajtura në Katar shënojnë angazhimin e parë të drejtpërdrejtë mes Shteteve të Bashkuara dhe Hamasit që kur Departamenti i Shtetit e caktoi grupin si organizatë të huaj terroriste në vitin 1997.

    Adam Boehler, i dërguari special i Presidentit Donald Trump për pengjet, udhëhoqi bisedimet e drejtpërdrejta me Hamasin, të cilat thuhet se u përqendruan në sigurimin e lirimit të pengjeve amerikane dhe eksplorimin e një fundi të mundshëm të luftës në Gazë pa Hamasin në pushtet.

    Mes pengjeve që ende mbahen nga Hamasi, pesë janë shtetas amerikanë, përfshirë 21-vjeçarin Edan Alexander, i cili besohet të jetë pengu i fundit amerikano-izraelit ende i gjallë në Gazë.

    Nëna e tij, Yael Alexander, foli kohët e fundit në ‘Sheshin e Pengjeve’ në Tel Aviv. “E vërteta e thjeshtë është se situata me pengjet bëhet çdo ditë e më urgjente”, tha ajo.

    “Ata po punojnë për fazën e dytë. Ne nuk e shohim atë si një fazë, por si një mënyrë për të sjellë djalin tonë në shtëpi. Nuk ka rëndësi si e quani. Ajo që ka rëndësi është se ka një marrëveshje për të sjellë pengjet e mbetura në shtëpi sa më shpejt të jetë e mundur”, tha ajo.

    Këtë javë, zyrtarët izraelitë thanë se janë gati të ecin përpara me fazën e dytë të marrëveshjes së armëpushimit në Gazë, me kusht që Hamasi të pranojë të lirojë më shumë nga 59 pengjet që ende mban./VOA

    Shpërndaje:
    Të ngjashme
    Të ngjashme

    © Reporteri (R Media L.L.C.), 2019-2025. Të gjitha të drejtat e rezervuara.

    Linku i lajmit u kopjua!