×
  • Lajme
  • Lajme / Ambalazhuesit

    Gjykata konfirmon se Naser Hafizi u lirua nga paraburgimi, masa iu zëvendësua me arrest shtëpiak

    Reporteri
    07 Mars 2025 | 14:58

    Gjykata Themelore në Prishtinë – Departamenti Special ka miratuar kërkesën e Prokurorisë Speciale të Republikës së Kosovës (PSRK) për zëvendësimin e masës së paraburgimit me arrest shtëpiak ndaj të pandehurit Naser Hafizi.

    Lidhur me këtë vendim që është marrë më 6 mars, zëdhënësja e Gjykatës Themelore në Prishtinë, Mirlinda Gashi, ka konfirmuar se masa e arrestit shtëpiak ndaj Havizit do të mbetet në fuqi deri më 6 prill 2025.

    Naser Hafizi, ushtrues i detyrës së drejtorit të Autoritetit Rajonal të Pellgjeve Lumore (ARPL) në Ministrinë e Mjedisit, Planifikimit Hapësinor dhe Infrastrukturës (MMPHI), ishte në paraburgim që nga tetori i vitit të kaluar.

    Edhe avokati i tij, Ahmet Tahiri, përmes një postimi në Facebook, ka shkruar të enjten mbrëma se Hafizi është liruar nga paraburgimi.

    “Sot, drejtësia vendosi që ta lirojë Naser Hafizin nga masa e paraburgimit sipas vendimit të Gjykatës Themelore në Prishtinë. Si avokat i tij, jam i bindur që edhe epilogu përfundimtar i këtij procesi gjyqësor do të jetë pafajësia e tij”, ka shkruar Tahiri.

    Hafizi ishte arrestuar më 10 tetor 2024 në Aeroportin e Prishtinës, pasi Prokuroria Speciale kishte njoftuar se ai nuk ishte gjetur në vendbanimin e tij gjatë një aksioni më 8 tetor. Që nga ajo kohë, ai mbahej në paraburgim.

    Shpërndaje:
    Të ngjashme
    Të ngjashme

    © Reporteri (R Media L.L.C.), 2019-2025. Të gjitha të drejtat e rezervuara.

    Linku i lajmit u kopjua!