Administrata e Presidentit Donald Trump ka anuluar fondet dhe kontratat me vlerë totale prej 400 milionë dollarësh për Universitetin e Kolumbias në Nju Jork, për shkak të “mosveprimit ndaj përndjekjes së vazhdueshme të studentëve hebrej”, njoftoi të premten Administrata e Shërbimeve të Përgjithshme (GSA).
Qeveria amerikane tha se fondet e anuluara do të zbriteshin nga projektet me vlerë të përgjithshme prej 5 miliardë dollarësh të caktuara për Universitetin Kolumbia. Njoftimi u bë nëpërmjet një deklarate të përbashkët të Departamentit të Drejtësisë, Departamentit të Arsimit dhe Departamentit të Shëndetësisë dhe Shërbimeve Njerëzore.
Universiteti i Kolumbias u vendos në epiqendër të protestave universitare, gjatë të cilave demonstruesit kërkonin dhënien fund të mbështetjes amerikane për Izraelin, për shkak të vdekjeve në radhët e civilëve dhe krizës humanitare të shkaktuar nga operacioni ushtarak i Izraelit në Gazë.
Gjatë protestave dhe kundër-protestave pati akuza për antisemitizëm dhe islamofobi . Universiteti i Kolumbias ka thënë më parë se ka bërë përpjekje për t’iu kundërvënë antisemitizmit.
“Anulimi i këtyre fondeve të taksapaguesve është sinjali ynë më i fortë deri më tani se qeveria federale nuk do të jetë palë me një institucion arsimor si Kolumbia, që nuk mbron studentët dhe punonjësit hebrej”, tha Leo Terrell, drejtues i grupit të punës për antisemitizmin në Departamentin e Drejtësisë.
Nuk u bë menjëherë e qartë se cilat janë konkretisht projektet dhe fondet që po anulohen.
Reporteri.net është gazetë online e lajmeve nga vendi dhe bota. Qëllim kryesor ka informimin e drejtë, të paanshëm dhe të shpejtë. Reporteri.net, në pronësi të “R Media L.L.C.”, është themeluar në mars të vitit 2019 dhe drejtohet nga gazetarët Bekim Kabashi dhe Mentor Gjergjaj.
E-Mail: info@reporteri.net
Marketing: marketing@reporteri.net
Adresa: Rr. UÇK, Nr. 102/11 10000 Prishtinë, Kosovë
© Reporteri (R Media L.L.C.), 2019-2025. Të gjitha të drejtat e rezervuara.