Brenda një moteli në rrugën magjistrale Prishtinë- Mitrovicë, në zonën e Obiliqit, dyshohet se më 01.02.2025 u dhunua një vajzë 13-vjeçare.
E mitura përveç që u dhunua, sipas një dosjeje hetimore që ka siguruar KALLXO, dyshohet se edhe u trafikua.
Dhunimi i saj ishte sistematik ndërsa gjithë ngjarja përshkruhet se ka ndodhur brenda motelit në orët e vona të datës 01.02.2025.
Hulumtimi zbardh se Ministria e Tregtisë, konkretisht Inspektorati i Tregut, e inspektoi motelin më 05.03.2025, tetë ditë pasi ishin kryer arrestimet e personave të dyshuar për dhunimin e të miturës.
Në këtë datë, portali kishte kërkuar të dhëna nga Inspektorati i Tregut për të parë se cilat veprime i kishin ndërmarrë pasi kishte ndodhur ngjarja, ndërsa në orët e pasdites, ky institucion i kthen përgjigje ekipit se pas inspektimit kanë vendosur që motelin ta mbyllin përkohësisht.
Inspektorati Tregut thotë se gjatë inspektimit kanë vërejtur se moteli është i regjistruar, por nuk posedon aktvendim apo pëlqim të kushteve minimale teknike.
“Inspektorët e Inspektoratit Qendror të Mbikëqyrjes së Tregut konform mandatit ligjor kanë bërë mbylljen e përkohshme të operatorit ekonomik në fjalë pasi që është konstatuar se i njëjti ka ushtruar veprimtari duke mos i përmbushur kërkesat ligjore, përkatësisht duke mos u pajisur me Aktvendimin/Pëlqimin për plotësimin e kushteve minimale teknike. Gjithashtu, ndaj të njëjtit inspektorët e tregut kanë shqiptuar edhe masë ndëshkuese për shkak të mos respektimit të legjislacionit në fuqi”, thuhet në përgjigjet e MINT.
Tutje portali vizitoi edhe motelin ku dyshohet se u krye dhunimi i të miturës. Në hyrje të këtij moteli, dy persona i thanë ekipit fillimisht se nuk ka dhoma të lira e më tutje pasi kuptuan se jemi të interesuar të dimë se kush e raportoi rastin e rëndë, ata shkurt thanë: ‘Nuk është askush nga pronarët këtu, ju lutem na lironi hapësirën!”.
Dhunimi i të miturës, të dyshuarit – punëtorë të motelit
Ndonëse nuk përmendet ndonjë kohë e caktuar se kur ka ndodhur dhunimi, dosja e Prokurorisë tregon se më 01.02.2025, e mitura ishte strehuar në motelin në zonën e Obiliqit.
Të dyshuar për këtë ngjarje janë katër punëtorë të motelit, një nga ta recepsionit 36-vjeçar e të tjerët pastrues nga mosha 21 deri në 23-vjeç.
Gjithmonë sipas dosjes penale, njëri nga të dyshuarit i cili punonte si pastrues në motel me qëllim të shfrytëzimit seksual të viktimës 13-vjeçare, e cila ishte duke qëndruar e vetme në dhomën e motelit, pastruesi shkon i dërgon një pije dhe për të përfituar para, të miturës i aranzhon takime me dy persona të tjerë të cilët më pas të njëjtit kryejnë marrëdhënie me të miturën.
Në këtë rast, ky person po dyshohet për veprën penale të trafikimit me njerëz.
Tutje dosja tregon se një recepsionist i motelit, 36-vjeçar, dyshohet se pasi kishte mësuar se viktima është e vetme në dhomë, i kishte dërguar një pije e më pas dyshohet se kishte kryer marrëdhënie seksuale me të. Në këtë rast ky person dyshohet se kreu veprën penale të dhunimit.
Edhe dy punëtorët e tjerë të motelit, në cilësinë e pastruesve, kishin përdorur metodën e njëjtë, kishin marrë vesh se viktima është e vetme në dhomë, e strehuar në motel, i kishin dërguar pije fillimisht e më pas me të njëjtën sipas dojes penale të dyshuarit kryen marrëdhënie me të miturën.
Edhe këta dy të arrestuar dyshohet se kryen veprën penale të dhunimit.
Anita Korenica nga Zyra e Avokatit të Popullit gjatë debatit në “Kallxo Pernime” e konsideroi problem kyç faktin se nuk ka kontrolle në motele e që në të njëjtat ka raste ku abuzohen fëmijët.
“Kur e kemi hulumtu rastin në vitin 2022 kemi gjet shkeljet zinxhirore që i kanë bërë institucionet publike, problemi kryesor që po ndodh edhe në këtë rast është mos vëzhgimi i moteleve, mos regjistrimi i personave për vendqëndrim dhe vendbanim dhe ky po vazhdon me qenë problem ku fëmijët dhe të miturit po vazhdojën me u abuzu në këto vende”, tha Korenica.
Vebi Mujku, ish- drejtor në Qendrën për Punë Sociale në Prishtinë vuri në pah rastet e shumta të cilat po ndodhin dhe tha se këtë e shkaktojnë faktorë të ndryshëm.
“Nuk ka ditë që nuk lexon raportin e policisë që nuk ke dhunime, jo vetëm të vajzave por edhe djemve, d.m.th. janë duke ndodhur dhunime të ndryshme dhe ka faktorë të shumtë”, tha Mujku.
Kreshnik Gashi, kryeredaktor i KALLXO.com, tha se edhe në trajtimin e rastit të dhunimit të së miturës shihet një dështim zinxhiror institucional.
“Ajo çka kemi raportu para dy viteve ka qenë për dështimin zinxhiror për trajtimin e dhunimit të 11-vjeçares, prej raporteve ku tregohet dështimi ne nuk kemi hetim penal për këtë rast apo llogaridhënie brenda policisë se çka ka ndodhur. Krejt çka kemi është lëvizje brenda policisë por tërë zinxhiri që ka qenë në polici për hetimin e atij rasti vazhdon me qenë në punë, njëjtë edhe prokuroria njëjtë ka vepru. Ajo çka mundemi me konstatu është që llogaridhënia vetëm e personave që janë implikuar në rast, mirëpo zyrtarët institucionalë nuk kanë dhënë llogari”- tha Gashi.
Ky rast përbën rastin e katërt të dhunimit seksual të së miturës së njëjtë.
Në vitin 2022, Prokuroria kishte arritur që të arrestonte një numër të konsideruar të të dyshuarve të cilët kishin dhunuar sipas Prokurorisë të miturën, e cila në atë kohë ishte vetëm 11-vjeçare.
Prokuroria kishte arritur që të ndajë këtë rast në dy grupe.
Portali kishte raportuar se më 28.02.2025 ishin arrestuar 7 persona, të përfshirë në dhunimin e së miturës.
Tre prej tyre ua kishte caktuar tashmë masën e paraburgimit Gjykata e Prishtinës, kurse për katër të tjerë të dyshuar për këtë rast seanca dëgjimore ishte mbajtur më 28.02.2025.
Gjykata e Apelit e ka ndryshuar aktgjykimin e Gjykatës Themelore të Prishtinës, duke ua ulur dënimin me burgim 4 të akuzuarve (grupit të parë), për rastin e dhunimit të 11-vjeçares.
Gjykata e Prishtinës me aktgjykimin e shpallur më 31.05.2024, të pandehurin Ekrem Rexhepi e kishte dënuar me 14 vjet dënim me burg, kurse tre të miturit G.R., G.J. dhe Xh. S., me nga 7 vjet burgim secili veç e veç. Kurse, për të akuzuarin e pestë, Shkëlqim Kamberin, rasti ishte veçuar.
Ndërsa, Gjykata e Apelit më 12.11.2024 ka ndryshuar aktgjykimin e Themelores, me ç’rast të akuzuarit Ekrem Rexhepit dënimin me 14 vjet burg ia ka ulur në 10 vjet burg.
Ndërsa 3 të miturve të akuzuar në këtë rast G.R., G.J. dhe Xh.S., nga 7 vjet burg secilit Apeli ua ka ulur dënimin me nga 5 vjet secilit.
Sipas aktgjykimit të Apelit, në dënim të pandehurve do t’u llogaritet edhe koha e kaluar në paraburgim nga data 28, respektivisht 29 gusht 2022, deri më 03.05.2023.