Eugen Cakolli nga Instituti Demokratik i Kosovës (KDI) ka reaguar pas ankesës së Lëvizjes Vetëvendosje e cila po kërkon nulimin e tërësishëm të votimit jashtë vendit dhe përsëritjen e këtij procesi.
Sipas tij kjo çasje “all-in” e dëmton procesin, andaj shton si duhet të ketë hetim të thelluar vetëm mbi rastet konkrete të dyshuara për manipulim, shkruan Reporteri.net.
Postimi i tij i plotë:
Në kuadër të ankesave të dorëzuara në PZAP, Lëvizja Vetëvendosje ka kërkuar anulimin e tërësishëm të votimit jashtë vendit dhe përsëritjen e këtij procesi.
Edhe pse dyshimet mbi manipulimet e mundshme të votave duhen trajtuar e hetuar kujdesshëm, anulimi i plotë i votës së diasporës do të kishte pasoja të mëdha. Një vendim i tillë jo vetëm që do të shkaktonte vonesa në certifikimin e rezultateve, por mbi të gjitha do të ndëshkonte edhe ata qytetarë që kanë votuar në mënyrë të rregullt.
Në vend të një qasje “all-in” që rrezikon të cenojë besimin në procesin zgjedhor, një hetim i thelluar dhe i targetuar vetëm mbi rastet konkrete të dyshuara për manipulim do të ishte një zgjidhje më e drejtë dhe më e qëndrueshme.