×
  • Lajme
  • Rajon

    Rutte: Nuk do të lejojmë që të rrezikohet paqja në Bosnje

    Reporteri
    10 Mars 2025 | 17:01

    Sekretari i Përgjithshëm i NATO-s, Mark Rutte tha në Sarajevë se aleanca mbështet sovranitetin dhe integritetin e Bosnje e Hercegovinës, duke theksuar se nuk do të lejojë që paqja “e fituar me mund” në këtë shtet të vihet në rrezik.

    Rutte nisi të hënë vizitën e tij në Ballkan, ku u ndal së pari në Sarajevë, duke u takuar me anëtarët e Presidencës trepalëshe. Në konferencën për mediat, Rutte tha se situata aktuale nuk është sikur më 1992, kur nisi lufta në Bosnje.

    “Kam dëgjuar shqetësime për situatën e sigurisë. Le të jemi të qartë, kjo situatë nuk është si më 1992 dhe ne nuk do të lejojmë që të krijohet një vakum i sigurisë. Komuniteti ndërkombëtar është këtu dhe është i angazhuar për të vazhduar mbështetjen tonë të fuqishme, përfshirë përmes EUROF-it”, tha Rutte.

    Sekretari i Përgjithshëm i NATO-s, Mark Rutte u shpreh se Marrëveshja e Dejtonit është thelbi i paqes në Bosnje e Hercegovinë, si dhe vuri theksin se çdo retorike nxitëse dhe veprim që minon rendin kushtetues, institucionet shtetërore duke paraqitur kështu kërcënim për stabilitetin dhe sigurinë e vendit, janë të papranueshme.

    Rutte deklaroi se situatën aktuale duhet ta zgjidhin vetë udhëheqësit e Bosnjës, duke iu drejtuar anëtarëve të Presidencës trepalëshe, teksa theksoi se “i gjithë rajoni do të përfitojë nga pajtimi dhe paqja e qëndrueshme në Bosnje e Hercegovinë”.

    Vizita e kreut te NATO-s u zhvillua në kohën kur autoritetet e Republikës Srpska, duke kërcënuar me shkëputje, kanë tentuar të ndalojnë funksionimin e institucioneve shtetërore të drejtësisë dhe policisë në territorin e këtij entiteti.

    Shpërndaje:
    Të ngjashme
    Të ngjashme

    © Reporteri (R Media L.L.C.), 2019-2025. Të gjitha të drejtat e rezervuara.

    Linku i lajmit u kopjua!