Lista Studentore ka siguruar 141 nga 250 mandatet në Kuvendin e Serbisë, sipas projeksionit përfundimtar të organizatës CeSID dhe agjencisë Ipsos, të publikuar pas zgjedhjeve të parakohshme parlamentare të 25 tetorit. Lista e Aleksandar Vuçiqit ka marrë 103 mandate, ndërsa gjashtë vendet e mbetura u takojnë partive të pakicave kombëtare.
Gazeta serbe Danas raporton se projeksioni është përgatitur mbi bazën e 100 për qind të mostrës së përpunuar nga CeSID dhe Ipsos, përcjell Reporteri.net.
Sipas këtyre të dhënave, Lista Studentore ka fituar rreth 53 për qind të votave, ndërsa lista “Aleksandar Vuçiq – Serbia e Bashkuar” ka siguruar 38.8 për qind.
Organizatat kanë sqaruar se në mostrën e tyre nuk janë përfshirë vendvotimet jashtë Serbisë.
Si ndahen 250 mandatet?
Sipas projeksionit të CeSID-it dhe Ipsos-it, përbërja e ardhshme e Kuvendit të Serbisë është kjo:
Subjekti politik – Mandatet
Lista Studentore – 141 deputetë
Aleksandar Vuçiq – Serbia e Bashkua – 103 deputetë
Partitë e pakicave kombëtare – 6 deputetë
Kuvendi i Serbisë i ka gjithsej 250 deputetë
ReklamëView this post on Instagram
Për krijimin e shumicës parlamentare në Serbi nevojiten të paktën 126 deputetë.
Me 141 mandate të projektuara, Lista Studentore e tejkalon këtë prag me 15 deputetë dhe ka numrat e nevojshëm për të formuar qeverinë pa mbështetjen e partive të tjera.
Partia e Millosheviqit mbetet nën pragun zgjedhor
Sipas të dhënave paraprake të Komisionit Republikan të Zgjedhjeve, Partia Socialiste e Serbisë (SPS), e themeluar nga Slobodan Millosheviqi dhe e drejtuar nga Ivica Daçiq, ka marrë rreth 2.17 për qind të votave.
Kjo e lë partinë nën pragun zgjedhor prej 3 për qind, të nevojshëm për hyrjen në parlament për partitë që nuk përfaqësojnë pakicat kombëtare.
Nëse rezultati konfirmohet, SPS-ja do të mbetet pa përfaqësim parlamentar për herë të parë që nga themelimi i saj në vitin 1990.
Vuçiq ka pranuar humbjen
Aleksandar Vuçiq e ka pranuar humbjen zgjedhore në një paraqitje para mediave nga shtabi i Partisë Progresive Serbe.
Ai ka deklaruar se të dhënat e disponueshme tregojnë se Lista Studentore ka siguruar shumicën e nevojshme parlamentare.
Zgjedhjet e 25 tetorit u mbajtën pas një periudhe të gjatë protestash studentore, të nisura pas shembjes së strehës së stacionit hekurudhor në Novi Sad, në nëntor të vitit 2024, ku humbën jetën 16 persona.
Protestat u shndërruan në një lëvizje më të gjerë politike, e cila më pas mori pjesë në zgjedhje përmes Listës Studentore.
Megjithatë, projeksioni përfundimtar i CeSID-it dhe Ipsos-it nuk është i njëjtë me certifikimin zyrtar të rezultateve. Ndarja përfundimtare e mandateve duhet të konfirmohet nga Komisioni Republikan i Zgjedhjeve i Serbisë.
