Ditën e djeshme, ambasadori i Kosovës në Gjermani, Faruk Ajeti njoftoi se shtetasit e Kosovës s’do të regjistrohen më si shtetas serbë në shtetin gjerman. Ai tha se Ministria federale e Brendshme e Gjermanisë iu ka dërguar një qarkore me këtë ndryshim qendrave të regjistrit civil në krejt Gjermaninë dhe se shtetasit e Kosovës që kanë pasë këtë problem tashmë mund ta rregullojnë.
Për këtë, Kryeministri Kurti sot në mbledhjen e qeverisë tha se kjo marrëveshje është arritur pas 17 vjetesh, dhe se shtetasit kosovar padrejtësisht deri tani janë detyruar të regjistrohen si shtetas serbë.
“Dje kemi marrë një lajm të mirë. Pas më shumë se 17 vjetësh është arritur marrëveshja me institucionet gjermane lidhur me çështjen e regjistrimit të shtetasve të Kosovës. Shumë prej jush padrejtësisht jeni detyruar të regjistroheni si shtetas të Serbisë, në dokumentacionin gjerman-gjë që nga sot s’do të përsëritet më”, tha Kurti.
Kurti u bëri thirrje mërgatës në Gjermani që ta verifikojnë këtë dhe ta bëjnë korigjimin.
“Dua të shpreh mirënjohjen e thellë për MPJD për këtë ndryshim të nevojshëm. Falë angazhimit dhe bashkëpunimit të tyre tashëm është miratuar udhëzimi që siguron që shtetasit e Kosovës të regjistrohen vetëm si shtetas të Kosovës. Andaj bashkatdhetarë në Gjermani u bëjmë thirrje të verifikoni dhe korrigjoni atë. Falënderojmë shtetin mik e partner gjerman për eliminimin e këtij problemi. Vazhdojmë të punojmë së bashku për të siguruar njohjen e të drejtave të qytetarëve tanë kudo në botë”, tha Kurti në mbledhjen e sotme të qeverisë.
/Reporteri.net/