Jehona Lushaku-Sadriu i ka reaguar Ministrit të Kulturës, Hajrullah Çeku i cili sot gjatë ditës kritikoi Lumir Abdixhikun, për atë që siç tha ai ndërrim të qëndrimeve, pasi kreu i LDK-së të hënën tha se partia që ai drejton nuk futet në asnjë qeveri pa postin e Kryeministrit, shkruan Gazeta Online Reporteri.net.
Lushaku-Sadriu në reagimin e saj, ka përmendur edhe ndaljen e punimeve për projektin e sheshit “Xhorxh Bush” në kryeqytet, e për të cilën ajo thotë se ani pse kanë fituar zgjedhjet kjo nuk do të thotë që kanë të drejtë ta bëjnë një gjë të tillë, veç pse ajo parti nuk qeveris në komunën e Prishtinës.
“Fakti që ata e përkthejnë pushtetin në një mjet për të penguar zhvillimin e projekteve për qytetarët e Kosovës është një tregues i qartë i mënyrës se si kjo Qeveri e Vetëvendosjes e përdor pushtetin për interesa të ngushta partiake”, shkruan mes tjerash në reagimin e saj, Jehona Lushaku-Sadriu.
Reagimi i plotë:
Qeveri bllokadash!
Ministri Hajrullah Çeku sot komentoi për fituesit e zgjedhjeve, por në të njëjtën kohë dha urdhër për t’i ndaluar punimet në projektin e Sheshit “Xhorxh Bush”në Prishtinë.
Të jesh fitues i zgjedhjeve nuk do të thotë të keshë të drejtën të bllokosh projekte në nivele komunale, mbasi partia jote nuk qeveris në atë komunë. Ky veprim i Ministrit Çeku tregon më së miri se si e kuptojnë pushtetin në VV: pra, si një mundësi për të bllokuar çdo iniciativë dhe projekt të partive të tjera, qoftë edhe nëse me këtë i ndëshkojnë qytetarët e këtij vendi, në këtë rast të kryeqytetit të Kosovës.
Fakti që ata e përkthejnë pushtetin në një mjet për të penguar zhvillimin e projekteve për qytetarët e Kosovës është një tregues i qartë i mënyrës se si kjo Qeveri e Vetëvendosjes e përdor pushtetin për interesa të ngushta partiake.
Kjo është një dëshmi e plotë e mentalitetit që dominon në VV: bllokada dhe pengesa për çdo iniciativë që nuk është e tyre.
Për keqardhje!