×
  • Lajme
  • Lajme

    Nuk e transmetuan një kronikë për Kurtin, Rilind Gërvalla i RTK-së dënon tre gazetarë – reagon AGK

    Reporteri
    12 Mars 2025 | 18:05

    Asociacioni i Gazetarëve të Kosovës ka reaguar me shqetësim për ndëshkimin që iu është bërë tre gazetarëve dhe redaktorëve të RKT-së nga Drejtori i Televizionit, Rilind Gërvalla, pasi të njëjtët s’kanë transmetuar një kronikë që lidhej me Qeverinë, meqë kane konstatuar se s’i plotëson standardet profesionale.

    AGK një dënim të tillë e ka konsideruar si të papranueshëm dhe brutal, duke theksuar se “redaktorët e transmetuesit publik duhet të kenë pavarësinë e plotë për të marrë vendime redaktoriale, ashtu siç e shohin të përshtatshme”.

    “Asociacioni i Gazetarëve të Kosovës – AGK, shpreh shqetësimin e madh pas konfirmimit të dënimit të tre redaktorëve të Transmetuesit Publik, RTK, nga ana e Drejtorit të Televizionit, Rilind Gërvalla. Jehona Zhitia, Valon Bajrami dhe Arton Mulliqi janë dënuar për shkak të mos-transmetimit në edicionin e vonë të lajmeve të një kronike për Qeverinë dhe Kryeministrin Kurti. Një nga redaktorët ka pohuar se kjo kronikë e caktuar “nuk i ka plotësuar standardet profesionale”, dhe si e tillë s’është transmetuar, duke shtuar se s’është hera e parë që ndodh diçka e tillë në RTK.”, thuhet në reagim.

    AGK-ja e konsideron këtë dënim brutal dhe të papranueshëm dhe se një ndërhyrje e tillë është krejtësisht politike dhe vazhdimësi e tendencës së partisë në pushtet, Vetëvendosje, për të ushtruar kontroll total mbi RTK-në. Kjo po bëhet përmes drejtorit Gërvalla, një ish-aktivist dhe donator i kësaj partie politike.

    AGK-ja i inkurajon të gjithë gazetarët dhe redaktorët e Transmetuesit Publik që të vazhdojnë punën e tyre në interes të publikut, pavarësisht pengesave dhe presioneve.

    Shpërndaje:
    Të ngjashme
    Të ngjashme

    © Reporteri (R Media L.L.C.), 2019-2025. Të gjitha të drejtat e rezervuara.

    Linku i lajmit u kopjua!