×
  • Lajme
  • Lajme / Zgjedhjet

    Gjashtë ankesa u parashtruan në PZAP pas shpalljes së rezultateve përfundimtare, refuzohen ato të kandidatit të PDK-së

    Reporteri
    18 Mars 2025 | 14:06

    Paneli Zgjedhor për Ankesa dhe Parashtresa ka pranuar gjashtë ankesa nga subjektet politike pas shpalljes së rezultatit përfundimtar të zgjedhjeve të 9 shkurtit. Kështu kanë bërë të ditur nga PZAP-ja në një përgjigje për gazetën online Reporteri.net.

    Sipas tyre, tri ankesa i kanë pranuar nga një kandidat i subjektit politik PDK, një ankesë nga subjekti politik PDAK-LPB dhe dy ankesa nga subjekti politik LVV-së.

    “PZAP – i në lidhje me rezultatet përfundimtare të shpallura nga KQZ ka pranuar 6 ankesa: 3 Ankesa nga një kandidat i subjektit politik PDK, 1 Ankesë nga subjekti politik PDAK- LPB,  2 Ankesa nga subjekti politik LVV. PZAP-I ka marrë 2 Vendime deri më tani të cilat gjinden të publikuara në faqen e PZAP-it”, thuhet në përgjigjen e tyre për Reporteri.net.

    vendimin që ka publikuar sot, PZAP-ja ka hedhur poshtë si të pabazuara ankesat e paraqitura nga kandidati për deputet i PDK-së, Petrit Hajdari.

    PZAP-ja ka hedhur poshtë si të pasafatshme në ankesë të kandidatit për deputet nga AAK, Agron Kuçi.

    Më 15 mars, mbi një muaj nga mbajta e tyre, Komisioni Qendror i Zgjedhjeve ka shpallur rezultatet përfundimtare të zgjedhjeve të mbajtura më 9 shkurt.

    Sipas këtyre rezultateve prin Lëvizja Vetëvendosje me 396 mijë e 787 vota apo 42.30 për qind. VV ka siguruar 48 deputetë.

    E dyta renditet PDK me 196 mijë vota e 474 apo 20.95 për qind. PDK ka siguruar 24 deputetë. LDK renditet e treta me 171 mijë e 357 vota, apo 18.27 për qind duke siguruar 20 deputetë dhe AAK-Nisma me 66 mijë e 256 vota apo 7.06 për qind ka siguruar 8 deputetë.

    Sipas këtyre rezultateve asnjëra parti nuk ka siguruar numër të mjaftueshëm për të qeverisur e vetme.

    Te komunitetet, Lista Serbe ka siguruar nëntë ulëse, ndërsa  ajo e Nenad Rashiqit një ulëse. Dy ulëse i ka siguruar Kosova Demokratik Turk Partisi, ndërsa nga një ulëse kanë marrë edhe Iniciativa e Re Demokratike e Kosovës, Nova Demokratska Stranka, Koalicija Vakat, Partia Liberale Egjiptiane, Socialdemokratska Unija, Jedinstvena Goranska PArtija dhe Partia Rome e Bashkuar e Kosovës.

    Zgjedhjet e vitit 2025 për Kuvend të Kosovës janë të gjashtat me radhë që janë mbajtur që nga shpallja e pavarësisë së Kosovës./Reporteri.net/

    Shpërndaje:
    Të ngjashme
    Të ngjashme

    © Reporteri (R Media L.L.C.), 2019-2025. Të gjitha të drejtat e rezervuara.

    Linku i lajmit u kopjua!