×
  • Lajme
  • Lajme / Bastisjet

    Arrestohet dhe dërgohet në mbajtje kryeshefi i “KRU Gjakova”, Prokuroria gjen prova për keqpërdorim të detyrës zyrtare 

    Reporteri
    18 Mars 2025 | 14:47

    Kryeshefi i Kompanisë Rajonale të Ujësjellësit “Gjakova”, Hasan Krasniqi është arrestuar sot nën dyshimet për keqpërdorim të detyrës zyrtare.

    Lajmin për arrestimin e tij e kanë konfirmuar për gazetën online Reporteri.net nga Prokuroria Speciale. Krasniqi është arrestuar pas bastisjeve që janë bërë sot në shtëpinë e tij dhe në zyret e KRU Gjakovës. Prokuroria njofton se janë siguruar dhe sekuestruar edhe prova materiale që ndërlidhen me rastin.

    I njëjti është dërguar në mbajtje për 48 orë.

    “Ju informoj se Prokuroria Speciale e Republikës së Kosovës në bashkëpunim me Drejtorinë për Hetimin e Krimeve Ekonomike dhe Korrupsionit, përkatësisht Njësinë Rajonale për Hetimin e Krimeve Ekonomike e Korrupsionit në Gjakovë, kanë realizuar sot një operacion policor në Gjakovë.

    Operacioni policor ka rezultuar me arrestimin e një personi H.K., të dyshuar për veprën penale “Keqpërdorim i pozitës apo autoritetit zyrtar” nga neni 414 i KPRK-së, i cili me vendim të prokurorit nga PSRK është ndaluar për 48 orë.

    Po ashtu gjatë ditës së sotme janë kontrolluar-bastisur edhe objekti i banimit të personit të dyshuar dhe zyra e tij në KRU Gjakovë, ku janë siguruar dëshmi- prova materiale që ndërlidhen me rastin, si dhe janë sekuestruar: -Një (1) Lap-Top, Një (1) Telefon mobil Samsung Galaxy S22, Para 22.205,00 Euro, Barka Ranier Wit, Dy kontrata qe ndërlidhen me rastin”, thuhet  në përgjigje.

    Gazeta online Reporteri.net gjatë ditës publikoi edhe pamje nga bastisja që u bë në shtëpinë e Krasniqit.

    Një ditë më parë u raportua se ndaj Krasniqit është ngritur edhe kallëzim penal për ndërhyrje në procedurat e prokurimit publik lidhur me një tender të Ndërmarrjes.

    Në fillim të muajit në disa audio-incizime që u publikum, dëgjohej kryeshefi i KRU “Gjakova”, Hasan Krasniqi, teksa flet për negocim Kontrate dhe konfirmon përfshirjen e tij në kontaktimin e bizneseve që do të merreshin me servisimin e makinave të Ndërmarrjes, si dhe dëgjohet duke thënë se do të zgjedhë Kompaninë për të nënshkruar Kontratën, për një tender për servisimin e veturave.

    Kryeshefi i KRU “Gjakova”, Hasan Krasniqi, në gusht të vitit të kaluar ishte është arrestuar në Bullgari, në bazë të një urdhër-arresti ndërkombëtar të lëshuar nga Policia italiane për dyshimet për trafikimin me qenie njerëzore.

    Ai ishte kapur nga autoritetet bullgare me t’u futur në Bullgari, derisa me familje po udhëtonte për pushime përmes kufirit me Maqedoninë e Veriut. Kjo pasi rezultoi se kërkohej ndërkombëtarisht nga Italia për trafikimin e njerëzve.

    Hasan Krasniqi në zgjedhjet e fundit lokale të vitit 2021 ka qenë kandidat i Lëvizjes Vetëvendosje për Asamblenë Komunale të Gjakovës, por nuk kishte marrë votat e mjaftueshme për të qenë pjesë e saj. Në janar të vitit 2022, ai ishte zgjedhur kryeshef ekzekutiv në KRU “Gjakova”./Reporteri.net/

     

    Shpërndaje:
    Të ngjashme
    Të ngjashme

    © Reporteri (R Media L.L.C.), 2019-2025. Të gjitha të drejtat e rezervuara.

    Linku i lajmit u kopjua!