Ka një javë që kompanitë e transportit nga Podujeva në shenjë proteste ndaj pakënaqësive me Komunën e Prishtinës, autobusët e tyre i kanë lënë në rrugë pranë këtij institucioni, shkruan Gazeta Online Reporteri.net.
Por, për një veprim të tillë, ata janë gjobitur vazhdimisht nga Policia e Kosovës.
Secili nga autobusët e parkuar në rrugën pranë Komunës së Prishtinës, numëron hiç më pak se shtatë gjoba të vendosura në xhamin e përparmë të tyre.
Përmes një vendimt të Komunës së Prishtinës, autobusëve që vijnë nga Prishtina, u ndalohet hyrja në qendër të kryeqytetit.
“Kjo është mënyra e fundit, nëse ndalojmë aty, ky është falimentin”, ka thënë njëri nga shoferët e autobusëve për Gazetën Online Reporteri, javën e kaluar.
“Me këtë vendim të Komunës ne nuk punojmë hiç, jo një muaj, por edhe një vit rrimë këtu”, deklaronte një shofer i një kompanie tjetër nga Podujeva.
Por, për Kryetarin e Prishtinës, Përparim Rama, protestuesit nga Podujeva duhet të respektojnë vendimin, ashtu siç veprojnë edhe linjat e tjera nga qytetet e Kosovës.
Ai kishte deklaruar javën e kaluar se me këtë reformë, qytetarët e Podujevës dhe të gjithë Llapit u sigurohet parkimi në “Kodër të Trimave”, ku mund të lënë automjetet dhe të përdorin transportin urban për t’u lidhur me pjesët e tjera të qytetit.
Rama në një takim që kishte pasur me ta, ishin dakorduar siç tha ai që të largoheshin taksit ilegal që janë te rruga “Ilir Konusheci” apo e njohur si “Xhamia e Llapit”, në mënyrë që të mos jenë pengesë edhe për ta, dhe se ky vendim do të ndihmonte që trafiku në kryqytet të lirohej.
“Ftoj protestuesit që të respektojnë vendimin për të cilin jemi dakorduar në takimet tona – ashtu siç bëjnë edhe linjat e tjera nga qytetet e Kosovës. Përveç tjerash, ky vendim, do të ndihmojë për të ulur ngarkesën e trafikut në rrugën hyrëse dhe dalëse në rrugën te “Xhamia e Llapit”.
/Reporteri.net/